Flash News

KRYESORE

Drejtori i Tatimeve i ankohet zv.ministrit: Nuk mbledh dot taksën e atyre që japin dhomat me qira, nuk hymë dot brenda

Drejtori i Tatimeve i ankohet zv.ministrit: Nuk mbledh dot taksën e atyre

Pak kohë më parë, qeveria njoftoi se personat që japin apartamente ose banesa me qira në zonat turistike, duhet t’i deklarojnë tek tatimet dhe të paguajnë taksën 15%. Sipas ligjit, personat që fitojnë të ardhura nga qiratë duhet të paraqiten vetë pranë drejtorive rajonale të tatimeve për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore. Ata ë cilët nuk do të bëjnë deklarimin do të përballen me masa ndëshkuese.

Por në Gjirokastër kjo skemë nuk funksionon. Drejtori i Tatimeve në Gjirokastër, Ilir Metaj tha se po hasin në rezistencën e familjarëve dhe se tatimorët e kanë të pamundur të hyjnë në banesa për të bërë verifikimet pasi përbën vepër penale pasi duhet një mandat nga prokuroria.

Këtë shqetësim drejtori i Tatimeve e shprehu gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, ku merrte pjesë edhe zv.ministri Hajrulla Çeku, raporton portali ArgjiroLajm.net.

“Ne po hasim në rezistencën familjare. Duke qenë subjekte një dhomë, nuk mund të hysh brenda sepse përbën vepër penale. Duhet një urdhër prokurorie që të futesh brenda dhe të nxjerrësh dyshimin se ky po ushtron aktivitet apo jo. Sidoqoftë ne kemi bërë një thirrje për vetëdeklarim si të ardhura personale në pamundësi për të hapur NIPT. Në Gjirokastër janë rreth 30 subjekte, të tipit guest house, hostel, dhoma me qira etj. Te këto ne po hasim në rezistencën familjare. Kjo është një vështirësi e jona”, tha Metaj.

Të fundit