Flash News

KRYESORE

Dua Lipa: Nëse je shqiptar të paragjykojnë, po përpiqemi të ndryshojmë atë çka njerëzit mendojnë për ne

Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, Dua Lipa është kthyer në një nga këngëtaret më të suksesshme në botë sa i takon zhanrit pop. Në një intervistë për revistën "Elle", Dua ka treguar shumëçka për veten, karrierën, familjen dhe origjinën e saj shqiptare.

Intervista nis nga shtëpia ku Dua jeton dhe përgatit mëngjesin për gazetarët.

Para luftës, nëna ime studionte juridikun. Babai im bënte muzikë dhe studionte për stomatologji. Në Londër prindërit e mi punonin në lokale dhe në kafene, ndërsa babai shkonte në universitet në të njëjtën kohë. Një nga gjërat që mësova nga prindërit e mi është mënyra si u përshtatën me rrethanat, pavarësisht gjithçkaje.

Në moshën 11-vjeçare, familjes Lipa i duhej të kthehej në Kosovë, pasi babait të Duas, Dukagjinit, i ofruan një punë që nuk mund ta refuzonte.

Isha vajza që flisja shqip me theks anglisht. Nuk isha shumë e mirë në mësime, sepse të gjithë në Kosovë mësonin kimi dhe algjebër, ndërsa unë isha akoma te thyesat. Ata fëmijë ishin shumë të zgjuar.

Por sa e lidhur është Dua me Kosovën:

Kosova më ka definuar si njeri. Ne kemi një sens të çmendur komuniteti. Njerëzit i dinë punët tuaja përpara se ti t’i marrësh vesh, por gjithmonë më kanë treguar shumë dashuri. Dikush më tha në një intervistë: ‘Ti ke etikën e punës së emigrantëve’, por është më shumë sesa kaq, kur ti do që të të marrin seriozisht. Të paragjykojnë po të jesh nga Kosova apo Shqipëria. Në filma, çdo shqiptar është në mafie. Po përpiqemi të ndryshojmë atë që njerëzit mendojnë për vendin tonë.

Burimi: ELLE

Të fundit