Flash News

KRYESORE

Duka i rikthehet Durrësit: Gati të kandidoj për bashkinë për të larguar pushtetin e lidhur me krimin

Duka i rikthehet Durrësit: Gati të kandidoj për bashkinë

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është shprehur i gatshëm të kandidojë për kryetar Bashkie në qytetin e Durrësit. Në emisionin ‘Java’ në TVSH, Duka sqaroi se vendimi nuk është plotësisht në dorën e tij, por këmbënguli se për një betejë që do të largonte pushtetin e lidhur me krimin në Durrës, do të ishte i gatshëm të sakrifikohej.

“Me thënë të drejtën unë jam i lindur dhe i rrutur në atë zonë. Jam nga Shijaku, banoj aty dhe më dhimbset kur e shikoj Durrësin ashtu, pushteti i lidhur me krimin duhet të largohet nga Durrësi. Nëse do kandidojë apo jo, kjo varet edhe nga elementë të tjerë.

Nëse gjykohet që kjo do ketë efekte pozitive, natyrisht unë mund të sakrifikohem”, nënvizoi Duka, emri i të cilit u përfol edhe në zgjedhjet lokale të 2015-ës, para se 'selia blu' të zyrtarizonte Grida Dumën.

Një natë më parë, në emisionin ‘Open’ në Top Channel, Duka pranoi gjithashtu se do të hynte në zgjedhje nëse do të ndryshonte Kodi Zgjedhor por, ai theksoi se gjasat janë që të mos ketë kohë për një ndryshim kaq të rëndësishëm ligjor, që kërkon 84 vota në Kuvend.

Për ta bërë të mundshëm këtë ndryshim, sipas Dukës duhet një qeveri tranzitore, teksa i cilësoi deputetët e futur rishtazi në Parlament, në emër të opozitës, si persona që nuk e përfaqësojnë opozitën, pavarësisht se nga qeveria insiston se ato emra i kanë përzgjedhur krerët e PD-së dhe LSI-së, jo Rama.

Të fundit