Flash News

KRYESORE

Duka llogarit dëmet ekonomike të krizës politike: Qeveria pa busull

Duka llogarit dëmet ekonomike të krizës politike: Qeveria pa

Kryetari i PAA, Agron Duka shprehet se kriza ekonomike, në të cilën mazhoranca ka çuar vendin, do të shoqërohet me dëme të pallogaritshme për shqiptarët.

Duka kujton edhe parashikimet e INSTAT-it, që flasin për një rritje ekonomike 2.2% ndërkohë që PS llogarit 4,5%; detaje që sipas Dukës tregojnë se mazhoranca ka humbur kontaktet me realitetin.

“Papërgjegjshmëria politike e mazhorancës ka kosto shumë të lartë dhe nga ky vit, do ta paguajnë të gjithë, të majtë e të djathtë, derisa vendi të kthehet në normalitetin që po i mohohet. Derisa të ketë zgjedhje të lira dhe ekonomi të ndershme!”, shkruan Duka.

Statusi i plotë:

Me një optimizëm të guximshëm, pa pasur parasysh përfundimin e investimeve të huaja si TAP-i dhe HEC-i i Devollit, në nëntorin e shkuar, mazhoranca e parashikonte rritjen ekonomike për këtë vit me 4,5%.

Sot, shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave, flasin për një rritje me 2.2% për tremujorin e parë të këtij viti.

Kjo diferencë e madhe midis parashikimeve dhe realitetit tregon se mazhoranca ecën pa busull në ekonomi. Të fokusuar vetëm te mbijetesa politike, e paaftë për të nxitur rritjen, për të ndihmuar bujqësinë, konkurrencën dhe për të përthithur investime të huaja.

Kriza e thellë politike në të cilën e kanë zhytur vendin, bashkë me rënien e rritjes ekonomike, do të krijojë dëme afatgjata për të ardhmen e vendit dhe përgjegjësia është vetëm e tyre. Pas 6 viteve në pushtet, pas tepsisë, timonit, kazanit apo filxhanit, nuk ka askënd tjetër për të fajësuar për këtë gjendje ekonomike dhe sociale, përveç vetë Rilindjes. Sepse politikanët mund të gënjejnë, por ekonomia nuk gënjen kurrë. Janë shifra, punë reale, investime, ose i ke ose nuk i ke!

Papërgjegjshmëria politike e mazhorancës ka kosto shumë të lartë dhe nga ky vit, do ta paguajnë të gjithë, të majtë e të djathtë, derisa vendi të kthehet në normalitetin që po i mohohet. Derisa të ketë zgjedhje të lira dhe ekonomi të ndershme!

Të fundit