Flash News

KRYESORE

DW: Gaz lotsjellës, shashka e thirrje "Rama ik" në protestën e opozitës në Tiranë

Opozita dhe mbështetësit e saj filluan në Tiranë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit” dhe përballë Kryeministrisë protestën e tyre të 9-të në serinë e protestave antiqeveritare të filluara në mesin e shkurtit të kaluar.

Mijëra pjesëmarrës  në protestë kanë mbajtur parulla antiqeveritare, ku kërkojnë largimin e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij. Disa protestues, në rreshtin e parë, përballë Kryeministrisë hodhën shashka dhe fishekzjarrë tymues duke mbuluar me tym mjedisin para Kryeministrisë. Ata thyen kordonin e policisë që mbron hyrjen kryesore të Kryeministrisë, nga ana e Bulevardit, por u ndaluan nga policia ende pa tentuar të hapnin derën kryesore hyrëse të Kryeministrisë.

Protestuesit u mbrojtën nga shiu me çadra të zeza ,ku ishte shkruar me shkronja në ngjyrë të bardhë  fjala "IK” pjesë e parullave dhe thirrjeve të tyre mbizotëruese "Rama ik”.

Në fjalën që mbajti para protestuesve, lideri i PD, Lulzim Basha, bëri thirrje për "rotacion të menjëhershëm politik” dhe kërkoi formimin e një qeverie kalimtare  pa Ramën, për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

Protestuesit kaluan nga Kryeministria në Parlament ku pati përleshje me policinë dhe të plagosur nga të dyja palët. Policia përdori gaz lotsjellës. DW

Të fundit