Flash News

KRYESORE

Dy ditë në OKB, Meta dhe Bushati nuk njoftojnë për takime dypalëshe

Dy ditë në OKB, Meta dhe Bushati nuk njoftojnë për takime

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga presidenti Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ndodhen prej dy ditësh në Nju Jork ku po marrin pjesë në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si Meta ashtu edhe Bushati nuk kanë njoftuar ende për ndonjë takim bilateral me homologët e tyre që ndodhen gjithashtu në Nju Jork.

Presidenti Meta ka mbajtur një fjalim në Samitin e Paqes "Nelson Mandela", ndërkohë që shoqërohej nga ministri Bushati dhe ambasadorja në OKB, Besiana Kadare. Fjalimi nuk ka zgjatur më shumë se tre minuta për shkak se në samit ishin regjistruar për fjalim përfaqësuesit e 141 shteteve dhe organizatave ndërkombëtare.

Delegacioni shqiptar ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e organizuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ku së bashku me 129 lider nga e gjithë bota firmosën deklaratën për luftën kundër drogës.

Tema të rëndësishme si procesi integrues në BE, situata në rajonin e Ballkanit, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, referendumi në Maqedoni, lobimi për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe synimi i Tiranës për të marrë drejtimin e OSBE-së janë në fokus të diplomacisë shqiptare, megjithatë, Meta dhe Bushati nuk kanë takuar ende homologët e tyre për të diskutuar mbi këto çështje.

Vitin e kaluar, delegacioni i Shqipërisë i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama pothuajse dështoi me paraqitjen në Asamblenë e OKB-së për shkak të numrit shumë të vogël të takimeve dypalëshe.

Ndërkohë, delegacioni kosovar ka nisur prej dy ditësh takimet në OKB edhe pse Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, janë takuar me homologët e Kroacisë, Finlandës, Samoas, Kiribatit, Malajzisë, Bahamasit, si dhe me drejtuesit e disa organizatave ndërkombëtare.

Të fundit