Flash News

KRYESORE

Dy shtete të BE-së gati të njohin pavarësinë e Katalonjës, lëvizje pro edhe në shtetin e rëndësishëm në Amerikën e Jugut

Dy shtete të BE-së gati të njohin pavarësinë e

Njohjet e para të pavarësisë së Katalonjës mund të vijnë shumë shpejt nga brenda Bashkimit Europian. Shteti i vogël i Sllovenisë është i pari që ka dhënë sinjale për një njohje të mundshme të Republikës së re në Europë.

Ministria e Jashtme e këtij vendi deklaroi pas vendimit të Parlamentit katalanas se “mbështet të drejtën e kombeve për vetëvendosje, e cila duhet të shprehet dhe të realizohet në mënyrë demokratike”.

10 ditë më parë, ministri i Jashtëm i Spanjës, Alfonso Dastis, i shprehu shqetësimin homologut të tij, Karl Erjavec, për solidaritetin e treguar ndaj katalanasve nga Parlamenti i Sllovenisë pas referendumit të 1 tetorit. Pyetjes së Dastis nëse Lubjana do të marrë “ndonjë vendim jashtë kuadrit ligjor të Spanjës”, Erjavec i është përgjigjur: “Për momentin është e vështirë të thuhet sepse Katalonja nuk ka bërë ende asnjë deklaratë (për pavarësinë)”.

Tashmë që Katalonja ka zyrtarizuar shkëputjen nga Madridi, Lubjana me deklaratën e djeshme të Ministrisë së Jashtme tregon se po ecën drejt njohjes. Ky pozicion i Slovenisë lidhet me të shkuarën e shtetit, i cili ishte i pari që u shkëput nga Jugosllavia dhe ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës, raporton Politiko.al.

Lëvizje pro pavarësisë së Katalonjës ka patur edhe në veri të Evropës. Deputeti finlandez, Mikko Karna ka njoftuar se do të dorëzojë në Parlament një rezolutë për njohjen e pavarësisë. Karna është deputet i Partisë Qendrore, që drejtohet nga kryeministri Juha Sipila, ndërkohë ky i fundit përgëzoi katalanasit për referendumin e 1 tetorit.  Por, disa orë pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm finlandez tha se vendi i tij mbështet integritetin e Spanjës.

Nëse Helsinki dhe Lubjana do të vendosin pro njohjes së Katalonjës, atëherë qëndrimi i këtyre dy shteteve të vogla, do ishte në kundërshtim me qëndrimin e Brukselit dhe shteteve më të mëdhaja anëtare të BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Një tjetër goditje mund t’i vijë Spanjës nga ana tjetër e oqeanit. Argjentina ka dhënë shenja se mund të bëhet shteti i parë në Amerikën e Jugut që njeh Katalonjën. Deputeti socialist, Juan Carlos Giordano, ka paralajmëruar dërgimin e një rezolute në Parlament për të njohur shtetin e ri në Evropë. Megjithatë, Ministria e Jashtme argjentinase ka dhënë dje mbështetje për integritetin e Spanjës.

Meksika, Turqia, Ukraina, Serbia, Kanadaja, Çekia dhe Bullgaria janë disa nga shtetet e tjera që janë shprehur kundër pavarësisë së Katalonjës, duke iu bashkuar qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së, ndërsa Skocia është vetëofruar për të ndihmuar katalanasit në njohjen ndërkombëtare.

Të fundit