Flash News

KRYESORE

Dy shtete të tjera të BE-së dalin kundër ndryshimit të kufijve; tërhiqet edhe Vjena

Dy shtete të tjera të BE-së dalin kundër ndryshimit të

Finlanda dhe Luksemburgu janë dy shtetet e radhës së Bashkimit Evropian që i janë bashkuar Gjermanisë dhe Kroacisë në vendimin për të kundërshtuar ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Jashtëm finlandez, Timo Soini deklaroi sot në Vjenë se bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës janë pozitive, por shkëmbimi i territoreve “mund të jetë i rrezikshëm nëse nuk është përgatitur siç duhet.”

“Është vërtetë një çështje e komplikuar. Historia nga luftërat është shumë e rëndë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos shkaktojmë probleme të reja”, tha Soini përpara gazetarëve.

Edhe ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn ka paralajmëruar për rrezikun e efekteve negative në rajon.

“Kjo mund të shkaktojë efekte shumë negative në shtetet e tjera të rajonit. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm”, deklaroi Asselborn.

Ndërkohë, Austria duket se ka bërë një hap mbrapa në promovimin e idesë së shkëmbimit të territoreve. Ministrja e Jashtme, Karin Kneissl u shpreh se “ndryshimi i kufijve, siç e kemi parë herë pas here, ka sjellë probleme.”

Në një kohë kur Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç mund të jenë lehtësuar disi nga qëndrimi që ka mbajtur së fundmi Belgjika.

Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Didier Reynders deklaroi në Vjenë se i takon dy shteteve të vendosin për ndryshimin.

“Mendoj se u takon atyre të vendosin se cilat do të jenë elemenet e marrëveshjes. Nuk është në dorën e Bashkimit Evropian të ofrojë udhëzime se çfarë duhet të përfshihet. Mbi të gjitha, ne po përpiqemi të mbështesim diskutimet e tyre”, u shpreh Reynders.

Në takimin e organizuar në Austri të ministrave të Jashtëm të BE-së me homologët e vendeve kandidate, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass, ritheksoi qëndrimin skeptik të Berlinit për këtë çështje, ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati nuk mbajti një qëndrim të qartë, ndryshe nga sa veproi një javë më parë në Tiranë.

Mogherini flet hapur për ndryshimin e kufijve: Do e pranoj marrëveshjen, por vetëm me një kusht...

Bushati lëviz nga qëndrimi i parë? Në Austri nuk flet kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi

Të fundit