Flash News

KRYESORE

E arrestoi policia për një pusetë, pronari i televizionit lokal: Kryebashkiaku s’mu përgjigj, më konsiderojnë të djathtë

Rreth tetë orë në paraburgim dhe një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra. Ka qenë kjo masa e marrë nga policia ndaj Fatos Mihali, president i Televizionit ‘AVN’ në qytetin e Fierit, pasi akuzohej për ndërtim të paligjshëm dhe prishje të territorit publik.

Në një intervistë për ‘Fax news’ ai ka treguar se askush nuk i ishte përgjigjur për problemin e tij deri kur ishte detyruar të ndërhynte vetë, përfshirë edhe kreun e bashkisë së Fierit, Armando Subashi, që sipas tij e konsideron me bindje të djathta.

‘’Në kushtet kur nuk kishte as një ndërhyrje nga ana e Bashkisë, i çova një letër dhe iu thashë që në rast se nuk do të reagonin, unë do ta kryeja vetë hapjen e pusetës. Isha drejt përfundimit kur erdhën persona nga policia dhe më shoqëruan.

Më kërkuan një leje dhe i thashë se nuk e kisha, pas 7-8 orësh u lashë i lirë. Akuzohesha për ndërtim pa leje dhe për prishje të territorit publik, gjë që asnjë prej tyre nuk qëndron. Unë do të përballem dhe në prokurori, pasi e di që jam në hallin tim dhe në problemin tim. Pavarësisht se çfarë ndodhi unë i kam nisur sërish një letër kreut të Bashkisë së Fierit.

Me mua janë treguar jashtëzakonisht arrogantë, nuk e di se çfarë ndodh me qytetarët e tjerë. Ka kohë që Subashi nuk më pret në zyrë, që prej kohës që ai është zgjedhur në krye të Bashkisë. Ai nuk ka shkelur kurrë në televizionin tim, pasi mund të më konsiderojë të djathtë. Por nuk mund të thuhet kjo për televizionin, kurrë nuk kam pasur ndihmë nga politika.

Nuk kam pse qëndroj më në atë qytet, sa kohë që jetojnë dhe fëmijët e mi jashtë vendit. Bizneset në Fier janë drejt mbylljes, ata që kanë mundësi ekonomike largohen, Fieri sot është kthyer në një fshat të vogël. Na duhet që të lajmë enët në banje, që ujërat të shkarkohen në kanalin e ujërave të zeza, nuk është mosha ime që të futem në burg për një pusetë. Gjoba që kam marrë është 5 milionë lekë”, u shpreh Mihali.

Të fundit