Flash News

KRYESORE

E duan Reformën në Drejtësi, por kondomin nuk e heqin

E duan Reformën në Drejtësi, por kondomin nuk e heqin

Alfred Lela

Mazhoranca e Edi Ramës përbetohet për besnikërinë dhe dashurinë ndaj reformës në drejtësi dhe bërtet duke treguar ata që janë e kundërta e saj. Qeveria e konsideron drejtësinë si të kapur dhe propagandon çlirimin e saj.

Nuk mund të mos i japësh të drejtë Edi Ramës kur thotë se drejtësia ka vepruar nën urdhrat e politikës. E dimë shumë mirë se kështu është. Megjithatë, nuk mund t'i bëjmë një lëshim të dytë Kryeministrit duke mos lexuar, të gjitha veprimet e tij në lidhje me reformën, si të nxitura nga një zell i madh i të paturit për vete të atyre institucioneve të drejtësisë që deri dje, apo deri nesër, i përkisnin (pjesërisht) kundërshtarëve politikë. Rama duhet të na provojë me një gjest apo akt, se nuk i kërkon për vete institucionet e drejtësisë. Deri më sot nuk kemi parë asnjë shenjë të këtillë.

Si në fillim ashtu edhe në fund, sistemi i ngritur prej Kryeministrit socialist ka dhënë shenja të së kundërtës. Prova e parë është SPAK-u, i cili në dizjanimin fillestar të paketës ligjore të reformës u fut në umbrellën e ministrisë së Brendshme. Pa rezistencën e opozitës dhe të disa pak aktorëve shoqërorë, zëra të pavarur në studiot televizive, SPAK- do të kishte sot shijen, formën dhe interpretimin e Saimir Tahirit, ish-ministrit të diskredituar nga dosja e përgjimeve italiane. 

Pasi rezistenca e shpëtoi njëherë Republikën nga Saimir Tahiri, Edi Rama krijoi një precedent për të shpëtuar Saimir Tahirin nga Republika. Kur Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Kuvendit heqjen e mandatit me qëllim që hetimet të ishin të pa ndikura nga ish-ministri i Brendshëm dhe lidhjet e tij, në Komisionin e Mandateve dhe Rregullores u panë skena të pabesueshme të ndërrimit të roleve.

Nëse dikush, i pafamiljarizuar me rrjedhën e ngjarjeve do të rastiste dëshmitar i asaj seance dëgjimore, do të merrrte Saimir Tahirin për Prokuror të Republikës dhe prokurorët si subjekt i kërkesës për heqje të mandatit parlamentar. Pasi shkarkoi rrufetë e mundësisë për të shantazhuar me anë të daljeve televizive, ish-ministri bërë të njëjtën gjë në seancën dëgjimore.

Edhe pse seanca dëgjimore kishte vlerë nul, duke qenë se mazhoranca e kishte marrë vendimin për të mos ia hequr mandatin Tahirit, deputeti socialist e përdori skenën për marrdhënie publike. Arsyetimi i anëtarëve të majtë të Komisionit të Mandateve, Kryeministrit dhe shpurës së tij, për vendimin për t'i thënë jo kërkesës së Prokurorisë ishte i prerë: Nuk ka prova!

Atë që futi nga dritarja në rastin e seancës dëgjimore për Tahirin, mazhoranca kërkon t'i hapë tani dyert e mëdha duke propozuar ndryshime në rregulloren e Kuvendit. Sipas të cilave, nëse Prokuroria kërkon heqjen e mandatit të një deputetit, asaj do t'i duhet të sjellë prova. Dy janë rreziqet e kësaj: Kuvendi shmang gjykatën duke e marrë vetë përsipër rolin e pushtetit gjyqësor dhe, me anë të forcës së kartonave, duke përdorur porozitetin e 'provës' mund të tregohet selektive.

Të gjitha ata që janë skeptikë kundrejt skeptikëve, atyre që bërtasin se mazhoranca do ta përdorë mekanizmin e 'provave' për të zvogëluar rrezen e frikës që e ka kapur se një ditë kosa e drejtësisë do t'i presë edhe ata, të mos mundohen me ushtrime imagjinate që i çojnë larg në të ardhmen. Duke hamendësuar: do ta bëjnë... s'do ta bëjnë.

Prova gjendet në të shkuarën. Pikërisht te rasti i Saimir Tahirit. Kujtoni trajektoren e frikës që kapi, fillimisht ish-ministrin dhe më pas shefin e tij, Rama, i cili u tërhoq shpejt nga qëndrimet e fillimit. Kur paniku u shtri i plotë në trupa që e dinin veten të paprekshëm, kortizoni i stresit prodhoi edhe antitrupat. Të cilët çuan te shfaqja në Komisionin e Mandateve ku prokurorëve iu kërkuan prova, u quajtën tropojanë, reaksionarë, e me radhë.

Nëse Rama, bashkë me deputetët dhe ministrat e tij, don t'i tregojnë publikut se përbetimin për Reformën në Drejtësi e ka patur pa hile, e zgjidh fare lehtë. Në vend që të përforcojë gardhin e Rregullores së Kuvendit që e mban drejtësinë jashtë dhe popullin qorr, t'i dorëzojnë mandatet duke e paraqitur veten të gatshëm, të pafajshëm dhe transparentë para njerëzve dhe ligjit. 

Hiqeni kondomin (mandatin) nëse e keni dashuri!

 

Të fundit