Flash News

KRYESORE

E kthen edhe Paskal Milo: Në zgjedhjet lokale shkojmë në koalicion me Partinë Socialiste

E kthen edhe Paskal Milo: Në zgjedhjet lokale shkojmë në

I shfaqur vitet e fundit si një kritik i madh i Qeverisë së Edi Ramës, Paskal Milo, kreu i PDS-së, ka ndryshuar tërësisht qëndrim. Në emisionin ‘5 pyetje’, në Report Tv, Milo theksoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, edhe nëse dy partitë kryesore të opozitës nuk marrin pjesë. Ai tha se i ndan disa shqetësime me opozitën, por interesi i PDS-së është pragmatist dhe synon të ballafaqohet me votuesit.

“Në rast se do bëhen zgjedhjet, ne do të shkojmë. Ne kemi disa interesa pragmatiste. Ne jemi të ndërgjegjshëm që situata politike nuk është e mirë. Do shkojmë në zgjedhje, jo sepse nuk ndajmë shumë shqetësime me opozitën... Nuk është përgjegjësia jonë që situata politike është në këtë gjendje. Deri në fund të muajit prill, ne jemi gati për të shkuar në zgjedhje”, tha Milo.

Më tej, Milo refuzoi ta konsiderojë veten si opozitar, ndonëse kritikat ndaj Qeverisë nuk i ka shmangur. Ai deklaroi se PDS do të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit në koalicion me Partinë Socialiste, edhe pse një marrëveshje nuk është nënshkruar ende.

“Do të shkojmë në koalicion me Partinë Socialiste sepse kështu është sistemi. Na detyron që të shkojmë në koalicione. Negociata të mirëfillta nuk ka deri më tani”, tha Milo.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, PDS nënshkroi një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim për të bërë të mundur ruajtjen e votave, pasi marrëveshja e 17 majit përjashtoi koalicionet e partive të mëdha me partitë e vogla. Gjatë asaj fushate dhe këtyre dy viteve të fundit, Paskal Milo ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Rama, me të cilin tani kërkon të hyjë në koalicion për 30 qershorin.

Të fundit