Flash News

KRYESORE

E moshura kujton 2 prillin: Djalin ma vrau Gramoz Ruçi, nuk dua t’ja shoh surratin

E moshura kujton 2 prillin: Djalin ma vrau Gramoz Ruçi, nuk dua

Është përkujtuar sot në Shkodër 28 vjetori i demonstratës antikomuniste, në të cilën u vranë katër të rinj. Nëna e Besnik Cakës, një prej dëshmorëve të demokracisë, ka folur për mediat dhe ka kritikuar kryeministrin Edi Rama pse nuk flet asnjëherë për këtë ngjarje.

E moshura kërkoi edhe largimin e Gramoz Ruçit nga drejtimi i Parlamentit, pasi sipas saj, ishte ai që urdhëroi në atë kohë, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, vrasjen e të rinjve shkodranë.

‘’Për ngjarjen e 2 prillit gjithkush mund ta dijë sesi ka ndodhur, Shkodra atë ditë ka përjetuar një tmerr, as lufta e dytë botërore nuk ka ndodhur ashtu si e bëri Gramoz Ruçi këtu. Kryeministri përmend vetëm 21 janarin, këtë të Shkodrës nuk e përmend kurrë. Kujton se janë zogj pëllumbash, por janë zogj nënash, i kemi rritur me halle. Edi Rama nuk e don Shkodrën, se Shkodra është e para që i dha shkëndijën demokracisë. Gramoz Ruçi është autor i vrasjeve të 2 prillit se ka qenë ministër i Brendshëm. Me urdhër të tij janë nxjerr tanket, autoblindat dhe snajperat. Ne kërkojmë drejtësi dhe Parlamentit i bëj thirrje që Gramoz Ruçi të mos rrijë më aty. Unë jam e zhgënjyer, sa herë e shoh aty nuk dua me ja pa surratin”, u shpreh e moshura.

Ajo tregon se djali i është vrarë me snajper dhe ngjarjen tronditëse e mësoi nga vajza që punonte mjeke.

E pyetur nëse amaneti i atyre të rinjve është përmbushur sot, e moshura jep këtë përgjigje: “Amaneti i tyre nuk është plotësuar sepse ata kanë rënë për një demokraci të pastër dhe jo për një demokraci të mbushur me drogë dhe me korrupsion.”

Më 2 prill të 1991 forcat policore qëlluan me armë ndaj protestuesve duke lënë të vdekur Bujar Bishanakun, Arben Brocin, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën.

Të fundit