Flash News

KRYESORE

E përplasi për vdekje në Kakavijë, rrëfen babai i 10-vjeçarit: Ambulanca kishte shpejtësi të madhe, thonë se transportonte udhëtarë në doganë  

E përplasi për vdekje në Kakavijë, rrëfen babai i

Një nga ngjarjet më të rënda të verës që sapo lamë pas ka qenë situata e pazakontë e krijuar në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës.

Situata mori përmasa tragjike kur një autoambulancë përplasi për vdekje një 10-vjeçar nga Lezha, i cili po priste në radhë prej më shumë se 24 orësh bashkë me familjen për të kaluar në territorin grek.

Në një rrëfim për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’, Nik Ndoji tregon se në momentin e aksidentit ambulanca ishte me shpejtësi të jashtëzakonshme, aq sa nuk kishte mundësi as të thërriste në emër të birin, që sipas tij po qëndronte në vijën ndarëse të rrugës nga makina, jo nga korsia e shoferit.

Madje, ai aludon se autoambulancat shfrytëzoheshin jo për të transportuar të sëmurë, por udhëtarë të tjerë për t’i çuar pa radhë në doganë.

“Në datë 1 erdhëm në Shqipëri për të nxjerrë pasaportat, më pas u nisëm për udhëtim dhe na ndodhi ajo që uroj të mos i ndodhë askujt tjetër.

Na kishin thënë se ka trafik, por jo aq sa gjetëm ne 10 km trafik. Kishim 24 orë që ne dhe fëmijët  qëndronim sa jashtë sa në makinë, nuk kishim as ushqime, vape e madhe ishte, një gjë që nuk u përballonte dot aq orë. Policia vinte vërdallë, ambulanca kishte vërdallë plot.

Nuk kishe as banjë, as ujë për të pirë. Kishim bërë llogari për 10-12 orë, por doli ndryshe. Problemet ishin vapa, ku të lëvizje s’kishte, s’kishim një hije diku, ishim si bagëti në mal”, thotë Ndoji, teksa sqaron se për të kaluar në Greqi ishte nisur një ditë para tragjedisë, pra në datë 14 gusht në 4 të mëngjesit.

I pyetur se çfarë kujton nga momenti tragjik, i ati i fëmijët kujton detajin që autoambulanca ka qenë më shpejtësi të jashtëzakonshme.

“Nga momenti tragjik mbaj mend që djali ishte përbri makinës kur po vinte një ambulancë me shpejtësi të madhe. Kur kam parë ambulancën mund të ketë qenë goxha larg, por ishte aq shpejt sa s’kam arritur të thirrja as emrin e çunit. E goditi 30 metra lart dhe më pas e shtypi edhe me të dyja rrotat të krahut të majtë.

Kujtoj se në atë kohë të gjithë njerëzit ishin jashtë makinave sepse brenda makinës nuk qëndroje dot nga vapa. Rrinin fëmijët bashkë dhe filluan të lexonin libra rrugës për të kaluar orën. Kur një moment ai del nga makina dhe e pashë që po rinte, në vijën ndarëse të rrugës nga makina ime, jo nga korsia e shoferit.

Njerëzit thonë se nuk kishte të sëmurë por merrte njerëz dhe i nxirrte në doganë. Pastaj policia u merrte makinën dhe i çonte në doganë. Unë nuk kam parë me sytë e mi, ai që ka zbritur nga ambulanca me një tjetër që ishte nuk e kanë prekur fëmijën me dorë. E kanë kapur pas 3-5 minutash. Një ambulancë tjetër erdhe e mori djalin, e coi në ambulancë.

Në spital shkova me makinën e policisë, në ambulancë nuk kishte oksigjen dhe një infermiere. Doktori me tha ka shkuar pa jetë në spital. Nusja e ka patur në dorë, ambulanca nuk kishte pajisje mjekësore, se fëmija ishte në jetë”, u shpreh babi i 10-vjeçarit të ndjerë.

Të fundit