Flash News

KRYESORE

A 'e rrëzon' dot Edi Rama Top Channel-in?

A 'e rrëzon' dot Edi Rama Top Channel-in?

Alfred Lela

Ka një drithërimë në të cilën përzihen, si gëzimi ashtu edhe misteri i një të panjohure. Lidhet me gjasën e një konfliktualiteti, të cilit i kemi parë vetëm kokën e drojtur, mes njeriut më të fuqishëm politik të vendit dhe televizonit më të madh shqiptar.

Edi Rama dhe Top Channel janë duke e matur me sy njëri tjetrin. Dueli është lënë të kuptohet, por gjer më tash kemi parë vetëm falmeshëndete, në formë kërcënimesh të buta, të llojit 'hë, ta mban?'; 'nuk ke ku shkon pa mua!'; 'ta tregoj unë ty'; 'unë të rrëzoj'; 'unë të rrënoj'.

Prej disa ditësh këto kreshpërime janë parë sa në kronika, sa në qëndrimet editoriale, dhe sa në pjerrtësimin e lajmeve, që prej kohësh që s'mbahen mend anonin vetëm në një krah: atë të Ramës dhe forcës së tij politike.

Kryeministri i ka lexuar shenjat, por nga frëngjia e Facebookut të tij nuk qiti asnjë pushkë, deri mbrëmjen e së enjtes, kur reagoi pas një kronike të Top-it, të titulluar në stilin e 5 ballëshave të Sokolit "Hahni dhe kazani'. I tillë ishte padurimi, sa shefi i qeverisë, foli në postimin e tij, jo vetëm për pabesueshmërinë e medias, por edhe habinë ndaj zonjës Hoxha, pronares së televizionit. Pa e përmendur atë, por duke e futur në skenë me anë të kontrastit: duke kujtuar të shoqin e ndjerë, më saktë gjenialitetin e tij.

Sa i takon asaj se pse ka nisur ky konflikt, askush nuk e di me siguri, hiq protagonistët e tij: Ramën, Vjollca Hoxhën dhe njerëzit shumë afër të dyve. Pëshpërimat e kanë, siç e ka teksti i çdo thasheshemi në Shqipëri, se dy të fuqishmit janë në mëri për interesa tregtare. "Vjollca do ketë kërkuar ndonjë gjë dhe Rama nuk ia ka dhënë". Një variant i dytë i dritëhijeve lidhet me zemërimin e matrones së Top Channel-it me afrimin e Kryeministrit me rivalin-armik, darling-un e të gjitha qeverive, Tv Klan.

Deri këtu shkon fija e dyshimeve.

E padyshimtë mbetet kthesa e fortë dhe e papritur, dhe po kaq shumë e tillë edhe shndërrimi që kjo i bën skenës mediatike dhe politike.

Sepse, duhet thënë një gjë kryesore që në krye të herës: kthesa e Top Channel-it bie në sy. Për më të thjeshtin fakt: është e herës së parë. Nuk mund të thuhej e njëjta për rivalin kombëtar të tij, Klanin. 

Një ripozicionim i Top-it përbën gjithashtu ribalancim, që nuk ka vetëm rëndësi mediatike, por edhe politike e shoqërore. Deviza e vjetër se media është 'qeni roje i qeverisë' plotësohet më së miri, sidomos me një markë të madhe dhe të fuqishme.

Tch nuk ka pse të bëhet me opozitën e Bashës; shoqërisë i mjafton që ai të bëjë, me mjetet dhe format e veta, opozicionin e qeverisë.

Gjithmonë pyetja ka qenë: a e rrëzojnë mediat një qeveri? Siç e dini, nuk jetojmë në një vend si gjithë të tjerët, dhe pyetja mund të kthehet kokëposhtë: a e rrëzon dot Edi Rama Top Channel-in?

 

Të fundit