Flash News

E SHPJEGUAR

Dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima e mijëra të pastrehë, por të akuzuarit fituan lirinë

Dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima e mijëra të

Sot bëhet dy vjet nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ku 51 persona humbën jetën dhe me mijëra të tjerë mbetën në qiell të hapur.

Tërmeti me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit ishte më i madhi që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet. Ndërsa, dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima nga goditja ishin Durrësi dhe Thumana.

Vetëm në qytetin e Durrësit u shënuan, 23 viktima ku tragjedia më e madhe ishte në familjen Lala, rrënojat e banesës së të cilëve iu morën jetën 8 personave, teksa fatmirësisht mundi të mbijetonte djali i tyre 19-vjeçar.

Por gjatë këtyre dy viteve, shumë pak ka ndryshuar për Durrësin i cili së bashku me rrethinat po vuajnë ende pasojat e tragjedisë.

Dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima e mijëra të

Shumë familje, përveç plagëve ende të rënda të humbjes së të afërmve të tyre, iu duhet të përballen edhe me një tjetër vështirësi që është mungesa e një strehe.

Banorët e mbetur në mes të katër rrugëve për shkak të fatkeqësisë natyrore, duket se do të kalojnë dimrin e dytë pa shtëpitë e tyre, duke qëndruar në çadra, banesa me qira ose te të afërmit e tyre.

Skandali me hetimet
Pas tërmetit të 26 nëntorit, prokuroria e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe ajo e Krujës nisën hetimet, pasi institucionet e akuzës së këtyre qyteteve ngritën dyshime se nga ky tërmet u shkatërruan ndërtesat që ishin pa leje, ose nga mos kryerja e inspektimeve të duhura nga inxhinierët.

Kryeministri Rama tha në mbledhjen e qeverisë, pak ditë tragjedisë se abuzuesit do të dalin para drejtësisë.

"Për ata që ndërtojnë për fitim sanksionet do të jenë të tmerrshme dhe pa hapësië për gjykatësit. Burg për supervizorët, arkitektët, ndërtuesit që abuzojnë. Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesit që u deformojnë projektin do të dënohen”, theksonte kryeministri Rama asokohe.

Dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima e mijëra të

U prenë dhjetëra fletë-arreste, por personat e vënë në pranga fituan lirinë, pasi gjykatat vendosën që shumica e tyre të hetoheshin në gjendje të lirë.

Prokuroria e Durrësit lëshoi 17 urdhër-arreste, ku nëntë prej tyre u ndaluan, ndërsa në kërkim u shpallën tetë të tjerë. Akuza u ngritën ndaj personave si ndërtues, kolaudues, supervizorë punimesh, apo zyrtarë dhe ish-zyrtarë të pushtetit vendor dhe agjencisë shtetërore të legalizimeve, ish-ALUIZNI-t. Megjithatë, sot pas 2 vitesh, askush nuk është në burg, ndonëse 51 njerëz vdiqën dhe qindra u plagosën.

Dy vjet nga tërmeti i 26 nëntorit me 51 viktima e mijëra të

Edhe Prokuroria e Tiranës nxori mbi 30 urdhër ndalimi për pasojat e tërmetit, por aktualisht, asnjëri prej personave të ndaluar dhe akuzuar nuk është në qeli. E njëjta situatë paraqitet edhe për Krujën dhe Lezhën.

Mes të pandehurve ishin ish-drejtuesit e ALUIZNI-t, Arben Isaku, Flamur Gjuzi dhe Aldo Dakovelli për shpërdorim detyre së bashku me ish-zyrtarët e inspektoriatit të ndërtimit, Artur Çela dhe Klajdi Lame.

Ndonëse kanë kaluar dy vite nga nisja e këtij hetimi, mungesa e ekspertëve që nuk kanë konflikt interesi, ka bërë që hetuesit mos të kenë ende një raport përfundimtar për cilësinë e ndërtimeve çka do të sillte edhe mbylljen e hetimeve. 

Të fundit