Flash News

E SHPJEGUAR

Hapat ligjorë që do të ndiqen për zyrtarizimin e qeverisë "Rama 3"; si janë shanset për refuzim emërimi nga Meta

Hapat ligjorë që do të ndiqen për zyrtarizimin e

Miratimi i qeverisë "Rama 3" ka nisur me prezantimin e kabinetit, por janë dhe një sërë procedurash që duhen realizuar. Kryeministri Edi Rama bëri me dije skuadrën me të cilën do të drejtojë vendin katër vitet e ardhshme, të enjten. Dy ditë më pas PS i dërgoi shkresën Presidentit të Republikës Ilir Meta për dekretimin e Edi Ramës si kryeministër të vendit.

Pas dekretimit nga Presidenti, emri i kryeministrit të ri i paraqitet për miratim Kuvendit, i cili do të konstituohet më 10 shtator.  Në vitin 2017, Meta e dekretoi Ramën në të njëjtën ditë kur Kuvendi mandatoi krijimin e qeverisë së re.

Në seancën e 10 shtatorit do të bëhet edhe verifikimi i mandateve dhe më pas deputetët do të bëjnë betimin. Pas këtij akti, kryeministri i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, për të cilët duhet të shprehet brenda 7 ditëve. Mbetet për tu parë nëse Kreu i Shtetit do të refuzojë ndonjë emërim ministri, siç ka ndodhur më herët me Gent Cakajn.

Por që kjo të ndodhë ka pak mundësi, pasi Gjykata Kushtetuese tha në qershor të këtij viti që Presidenti ka të drejtë të mos dekretojë emërimin e një ministri vetëm nëse ka arsye të fortë, ndryshe ai do të përfshihej në jetën politike, duke shkelur Kushtetutën. 

Kështu u shpreh gjykata, kur shqyrtoi çështjen e mosdekretimit të ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj nga Meta. Dekretet e miratuara nga Presidenti kalojnë ne Kuvend brenda 10 ditëve dhe më pas i gjithë kabineti qeveritar betohet para Kreut të Shtetit.

Formimi i qeverisë së re vjen pas përplasjeve të forta PS-Presidencë. Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë çështjen e shkarkimit të Metës, pasi socialistët votuan në Kuvend pro largimit të tij me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën.

 

Të fundit