Flash News

E SHPJEGUAR

INTERVISTA/ Shembjet në Theth, ekspertja Lika: Shteti nuk mund të ndëshkojë për gabimet e veta

INTERVISTA/ Shembjet në Theth, ekspertja Lika: Shteti nuk mund të

Suela Gjidede

Shembjet e objekteve turistike në Theth kanë ndezur jo vetëm tensione lokale, por edhe një debat kombëtar mbi rolin e institucioneve shtetërore në mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

Ekspertja në auditim dhe transparencë publike, Meri Lika sjell në një intervistë në Politiko.al një vlerësim kritik për mënyrën se si shteti po ndërhyn në këtë situatë, duke e cilësuar si dështim institucional të zbatimit të ligjit.

Lika thekson se urdhri i kryeministrit Edi Rama për shembjen e ndërtimeve pa leje, një vendim që ka rritur debatet mbi legjitimitetin dhe kohën e ndërhyrjes, vjen pas një periudhe heshtjeje institucionale, ku ndërtime të paligjshme janë toleruar dhe inkurajuar në mënyrë të tërthortë.

Siopas saj, kjo sjell pasoja të rënda për banorët dhe ekonominë e tyre. Në këtë intervistë, ajo argumenton se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve duhet të jetë prioritet.

Intervista: 

Zonja Lika, si eksperte në auditim dhe transparencë publike, si e shihni rolin e institucioneve shtetërore në menaxhimin e situatave të ndjeshme si shembjet që po ndodhin aktualisht në Theth?

Situata në Theth na bën të kuptojmë rolin e institucioneve shtetërore. Nuk është vetëm çështje e zbatimit të ligjit në momentin kur flet kryeministri, por është dështim i plotë institucional që ato të veprojnë në kohë dhe në mënyrë të ligjshme. Pra, pyetja që ngrihet është: pse nuk vepruan kur nisën ndërtimet?

Përgjegjësia është e të gjithë institucioneve që duhej të parandalonin. Bashkia Shkodër, si autoritet lokal, ka detyrën të monitorojë çdo aktivitet ndërtimor, veçanërisht në zona të mbrojtura dhe turistike si Thethi. Inspektorati Kombëtar i Territorit (IKMT) dhe inspektoriatet vendorë duhet të kontrollojnë dhe ndalojnë ndërtime pa leje në kohën e duhur. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka rolin për të dhënë apo refuzuar miratimet në këto zona, ndërsa Policia e Shtetit dhe Prefekti i Qarkut duhet të bashkëpunojnë me IKMT-në për të ndaluar punimet ilegale.

Por, asnjë prej tyre nuk veproi në kohë. Pse? Në shumë raste, ndërtimet u bënë me dijeninë e plotë të pushtetit lokal dhe institucioneve të tjera, madje edhe kundrejt bakshisheve. Nuk pati asnjë ndalim apo paralajmërim në fazën kur ndërhyrja do të ishte më e thjeshtë dhe më efektive. Kjo tregon paaftësi totale dhe një tolerim të qëllimshëm me motive politike apo ekonomike, në periudha parazgjedhore, ku bërja e një syri qorr e një veshi shurdh iu shërbeu interesave elektorale.

Sot, kur IKMT shfaqet për të shembur bujtinat, lind pyetja e thjeshtë: ku ishte shteti kur këto ndërtime nisën? Pse nuk u ndaluan më parë? Madje, ndonjëherë u inkurajuan me heshtje dhe premtime publike. Kjo e bën veprimin e sotëm jo vetëm të padrejtë, por edhe të paqëndrueshëm moral dhe ligjor.

Ndërhyrjet në Theth dhe në zona të tjera turistike janë toleruar dhe inkurajuar për arsye elektorale, si pjesë e retorikës për zhvillimin rural. Banorët kanë marrë sinjale nga vetë kryeministri, se ndërtimet e tyre janë të pranueshme. Tani po ndëshkohen nga të njëjtët institucione që i toleruan më parë. Kjo është një formë mashtrimi institucional dhe politik.

Situata në Theth nuk është thjesht çështje ndërtimesh pa leje, ajo pasqyron një politikë shtetërore dyfytyrshe, ku shteti lejon ndërtime të paligjshme me heshtje, për të ndëshkuar më pas selektivisht, duke shmangur përgjegjësinë.

A mendoni se veprimet e IKMT-së janë në përputhje me ligjin dhe procedurat për prishje të objekteve në zona të mbrojtura?

Mendoj se veprimet e IKMT-së nuk janë plotësisht në përputhje me ligjin dhe procedurat administrative. Prishjet janë bërë shpesh pa njoftim paraprak, pa afat për ankimim dhe pa dokumentacion të plotë. Në zona të mbrojtura si Thethi, çdo ndërhyrje duhet të bëhet në bashkëpunim me AKZM dhe me respektimin e planit të menaxhimit të zonës, gjë që shpesh mungon.

IKMT po vepron në mënyrë selektive, duke prishur vetëm disa ndërtime dhe duke lënë të tjera pa prekur, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim dhe zbatim të padrejtë të ligjit.
Nuk mund të jap më shumë opinion për këtë fakt se është më shumë juridik.

A ekziston një mekanizëm ligjor që garanton mbrojtjen e të drejtave ekonomike dhe pronësore të banorëve në raste të tilla?

Po, edhe pse zbatimi i tyre shpesh është i dobët. Në rast se ndërtimet janë bërë me heshtjen ose tolerimin e institucioneve, shteti nuk mund të ndërhyjë më pas në mënyrë ekstreme pa respektuar të drejtat e qytetarëve për njoftim dhe ankimim.

Ekziston një parim ai i “mosndëshkimit të qytetarëve për fajin e shtetit”

Nëse një institucion shtetëror nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar një ndërtim pa leje, ai nuk mund të justifikojë ndërhyrjet ekstreme, si prishja, pa marrë parasysh përgjegjësinë e vet.

Kjo është e rëndësishme sidomos në rastet kur ndërtimi është bërë hapur, në dritë të diellit, dhe shteti, ka heshtur, ka inkurajuar zhvillimin (shpesh përmes premtimeve publike) por edhe ka mbledhur taksa ose energji për objektin

Në këto kushte, ndërhyrja e papritur me prishje mund të jetë abuzive dhe e paligjshme, pikërisht sepse mungesa e shtetit në fazën parandaluese i ka dhënë siguri qytetarëve.

Çfarë pasojash afatgjata ekonomike mund të kenë këto ndërhyrje te komuniteti vendas?

Prishjet pa paralajmërim po godasin rëndë ekonominë familjare në Theth, ku turizmi familjar dhe agroturizmi janë burimi kryesor i jetesës. Humbja e bujtinave dhe objekteve të tjera rrezikon jetesën e shumë familjeve, duke i zhytur në varfëri dhe duke nxitur emigrimin e të rinjve. Kjo do të çojë në zbehjen e jetës lokale, mbylljen e shkollave dhe shërbimeve, dhe rrënimin e një mënyre jetese unike.

Në vend që të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rural, politika aktuale po krijon një klimë pasigurie dhe frike që do të ndalojë investimet për vitet në vijim.

Sot është e domosdoshme që shteti të marrë përgjegjësitë e veta, të ndalojë ndërhyrjet arbitrare dhe të ofrojë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme për banorët e Thethit dhe komunitetet e tjera të ngjashme./ Politiko.al/

 

Të fundit