Flash News

E SHPJEGUAR

Nga festa në 'furtunë': Si nisi përplasja Rama–Dredha dhe përfundoi me shkarkime masive në Vlorë

Nga festa në 'furtunë': Si nisi përplasja

Vlora është kthyer së fundmi në epiqendrën e një 'furtune' politike që ka tronditur jo vetëm administratën vendore por edhe themelet e Partisë Socialiste në jug të vendit.

21 drejtues të bashkisë së Vilorës dhanë dorëheqjen brenda disa orësh, pas një vizite të papritur të kryeministrit Rama dhe një “ultimatumi” nga ana e tij për reformim të menjëhershëm.

Por çfarë fshihet pas këtij veprimi të rrufeshëm?

Nëse kthehemi vetëm pak ditë pas, kujtojmë se se tensionet kishin nisur më herët. Gjatë festës së 34-vjetorit të Partisë Socialiste, Edi Rama u përplas publikisht me kryebashkiakun Ermal Dredha (shiko videon), në një debat që nuk kaloi pa u vënë re nga të pranishmit. Ky moment u interpretua si sinjal i parë i pakënaqësisë së Ramës ndaj mënyrës se si po menaxhohej qyteti.

Nga festa në 'furtunë': Si nisi përplasja

Me pas, Rama ngriti dy grupe pune për të analizuar performancën e administratës dhe për të përzgjedhur drejtues të rinj, të cilët do të kalojnë në periudhë prove 3-mujore.

Lidhur me vendimin e beftë pati shume reagime. 

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si cenim të autonomisë së pushtetit vendor dhe shkelje të ndarjes së pushteteve. Sipas tyre, çdo ndërhyrje e pushtetit qendror në emërime dhe shkarkime në bashki është antikushtetuese dhe e papranueshme.

Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar ndërhyrjen e Ramës si një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe një akt tipik të një “partie-shtet”.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se “vetëm në regjime si Koreja e Veriut ndodhin ndërhyrje të tilla brutale në pushtetin vendor”. Sipas tij, shkarkimet janë “koka turku” për të mbuluar dështimet e qeverisë në menaxhimin e qytetit, përfshirë ndotjen mjedisore, mungesën e ujit të pijshëm dhe djegien e mbetjeve urbane.

Për momentin, Vlora është kthyer në një arenë ku Rama po vendos rregullat e tij të lojës duke zëvendësuar strukturat vendore me njerëz të bindur dhe duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e tij.

 

 

 

Të fundit