Flash News

E SHPJEGUAR

Opozita rikthehet të premten në Kuvend 2 vjet pas braktisjes, Basha mbledh grupin para seancës

Opozita rikthehet të premten në Kuvend 2 vjet pas braktisjes, Basha

Dy vjet pas djegies së mandateve dhe protestave në rrugë, opozita (PD dhe LSI) do të rikthehet nesër (të premten) në parlament me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Mësohet se përpara nisjes së seancës në orën 10:00, kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë deputetët e grupit parlamentar, përfshirë këtu edhe ish kryeministrin Sali Berisha i shpallur ‘non grata’ nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi e përfshiu atë në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi disa javë më parë, pas një takimi me kryedemokratin Lulzim Basha se “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu".

Berisha e ka konsideruar si “të pabazuar në fakte” vendimin e Departamentit të Shtetit dhe ka angazhuar një avokat të njohur në Paris, duke ngritur padi "për shpifje" ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken. Ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i tij si deputet, dhe këtë e ka përsëritur vazhdimisht pas deklaratës së ambasadores amerikane në selinë e Partisë Demokratike.

Nga ana e tij, perveç një komenti të parë në momentin e publikimit të vendimit të Departamentit amerikan, ku shprehej i keqardhur, Basha ka evituar të prononcohet për këtë çështje, edhe pas komenteve të ambasadores amerikane. Por sipas Berishës “kryetari i Partisë Demokratike, i është përgjigjur kërkesës së Kim, me kërkesën e tij: Paraqitni, fakte, dokumenta e prova. Kjo është përgjigja që ka marrë zonja Kim nga kryetari i PD. Dhe unë për këtë e falenderoj dhe e përgëzoj”.

Strategjia opozitare

Disa ditë më parë, para Këshillit Kombëtar Basha bëri të ditur strategjinë opozitare me nisjen e legjislaturës së re. Veç reformës elektorale dhe asaj territoriale , kryetari i opozitës kërkoi edhe ndryshime kushtetuese. Ai synon t’i japë fund paktit të bëre mes Ramës dhe Berishës në vitin 2008.  

“Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale. Gjithashtu edhe reforma zgjedhore dhe territoriale janë po aq të domosdoshme për një shoqëri demokratike, sipas liderit të opozitës”, deklaroi Basha në mbledhje.

Goditja ‘Mark Marku’

Pak javë më parë, Basha mori një tjetër goditje të fortë nga brenda, kur deputeti Mark Marku, i cili kishte drejtuar fushatën në qarkun e Lezhës, njoftoi se hiqte dorë nga mandati parlamentar, pasi sipas tij “PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”.

Veç Tom Doshit, edhe në krahun e majtë, por për motive të tjera, dy deputetë kanë njoftuar tërheqjen. Mjekja e njohur Najada Çomo, ka kërkuar që të vijojë angazhimin në luftën kundër pandemisë Covid 19, po ashtu, të njejtin veprim e ka ndërmarrë dhe deputeti Lefter Koka, ish ministër i Mjedisit. Më herët, dorëheqjen nga politika e njoftoi edhe Gramoz Ruçi.

***

Ashtu si dhe në 8 vitet e fundit, edhe ky parlament do të kontrollohet nga socialistët e kryeministrit Edi Rama i cili fitoi një mandat të tretë radhazi, si kurrë më parë për një forcë politike në 30 vite pluralizëm. 

Socialistët do të kenë 74 nga 140 vendet e parlamentit, PD 59, LSI katër dhe PSD 3 ulëse deputetësh.

Të fundit