Flash News

E SHPJEGUAR

Pallati i Kongreseve në duart e qeverisë: rikonstruksion apo zhveshje nga kujtesa?

Pallati i Kongreseve në duart e qeverisë: rikonstruksion apo zhveshje

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot me shumicë votash kalimin e Pallattit të Kongreseve në administrim të qeverisë për t’iu nënshtruar një rikonstruksioni.

Sipas projektit të publikuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve, qëllimi është përmirësimi i infrastrukturës duke e shndërruar godinën në një qendër multifunksionale që përmbush standardet bashkëkohore për konferenca, evente kulturore dhe aktivitete publike.

Projekti pretendon të ndikojë pozitivisht në ekonominë lokale, duke tërhequr sponsorë, investitorë, si dhe duke krijuar vende të reja pune.  

 Megjithatë, ky vendim ka ngjallur reagime të forta nga opozita për zhdukjen e trashëgimisë kulturore.

Gazetarja, njeheresh këshilltarja bashkiake Beti Njuma në një reagim në Facebook, shkroi: “Me shumicë votash socialistët do t’i vënë buldozerin një tjetër objekti që përfaqëson kujtesën historike të Tiranës. Kryeqyteti duhet të mbetet pa memorje... Sepse një qytet pa kujtesë, është më e lehtë ta komandosh.” Ajo paralajmëron se godina e radhës do të jetë TVSH-ja, duke akuzuar modelin qeverisës se po e trajton trashëgiminë historike si pasuri për t’u privatizuar.

Në të njëjtën linjë, këshilltari demokrat Dorian Teliti e quajti procesin një “rijetëzim betonizues”, duke vënë në dyshim  projektin: “Mos gënjeni veten me fjalë boshe si ‘zhvillim’ apo ‘modernizim’! Ky ‘rijetezim’ është thjesht një alibi për të ndërtuar kulla... Vetëm beton, beton dhe prapë beton!”

Kritikët e projektit e shohin “rijetëzimin” si një alibi për ndërtimin e kullave luksoze në zemër të Tiranës. Sipas tyre, zhdukja e objekteve simbolike si Teatri Kombëtar dhe tani Pallati i Kongreseve është pjesë e një strategjie për të zhbërë identitetin historik të qytetit. 

Po sot gjatë mbledhjes, ishte këshilltari i opozitës, Ilir Alimehmeti, ai i cili pyeti nëse brenda territorit të godinës do të ndërtohej ndonjë kullë e re, por kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, tha se nuk kishte asnjë informacion lidhur me këtë.

Pallati i Kongreseve është një objekt që mbart jo vetëm vlera arkitektonike të kohës së tij, por shihet edhe si simbol një periudhe të rëndësishme në historinë kulturore të Tiranës.

Nderhyrja e pa një debat transparent publik ngre pikëpyetje të mëdha mbi filozofinë urbane që po ndjek pushteti vendor, por  dhe aiqendror. /S. Gjidede/

Të fundit