Flash News

E SHPJEGUAR

Skadon afati, nuk jep dorëheqjen. Basha pajton lobist për ‘fatin’ e tij dhe krizën në PD

Skadon afati, nuk jep dorëheqjen. Basha pajton lobist për

Sot ka përfunduar afati që deputetët e PD i lanë Lulzim Bashës për të bërë një hap pas ashtu sikurse u shpreh edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të shtunën.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për interes të demokratëve, duke nënkuptuar se dorëheqjen nuk e sheh ende si opsion.

“Jam mirënjohës për ndihmën që jep çdo anëtar i PPE për Partinë Demokratike. Unë mbetem në dispozicion të bëj gjithçka për hir të demokratëve”, tha shkurtimisht Basha teksa u largua nga selia blu.

Basha pajton lobist të huaj

Lulzim Basha ka pajtuar një lobist për të ndërmjetësuar në konfliktin e brendshëm në PD.

Sipas Euronews Albania, Elmar Brok, ish-kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka mbërritur dje në Tiranë për të ndihmuar Bashën në përplasjen brenda PD-së.

Ish-eurodeputet gjerman i CDU-së dhe sot anëtar i CDU-së, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropian, të mërkurën në mbrëmje darkoi me Lulzim Bashën. Po dje ai u takua edhe me Sali Berishën.

Ndërkohë, Brok është takuar sot me Jozefina Topallin dhe me deputetin Belind Këlliçi. Mësohet se Brok u ka thënë palëve që Basha pranon që të ketë një proces të vetëm zgjedhjesh në PD midis të gjitha palëve, por kërkon që të mbetet kryetar i PD-së dhe t’i menaxhojë ai zgjedhjet.

Ky propozim i Brok është hedhur poshtë nga Sali Berisha dhe përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit.

“Këtë herë ai vjen si lobist i Bashës, me të cilin ka vendosur një marëdhënie të ngushtë në dy vitet e fundit dhe me qëllimin për të bërë ç’ështe e mundur që të shpëtohet çka mund të shpëtohet për kreun e shkarkuar të PD-së”, thanë përfaqësues të PD, shkruan Vox.al.

Ultimatumi i grupit parlamentar i PD

Humbja e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit do t’i kushtonte shtrenjtë Lulzim Bashës. Të besuarit e tij vendosën që të përqendrohen më shumë në idealin e PD-së se sa te lideri që deri tani kishin mbështetur.

Kundër Bashës dolën mbështetësit e tij më të besuar si Grida Duma, Ervin Salianji, Helidon Bushati, të cilët e kishin mbrojtur me fanatizëm në përballjen dhe konfliktin me ish-kryeministrin Sali Berisha. Grupi parlamentar i kërkoi Bashës të bëjë hapa pas dhe të dorëhiqet nga posti duke marrë përgjegjësinë që i takon për humbjen më 6 mars.

Bashën e braktisi edhe ‘krahu i tij djathtë’, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi. Ky i fundit deklaroi se si Basha edhe Berisha duhet të tërhiqen nga partia për të lënë një rrugë bashkimi mes dy palëve.

Edhe dy nënkryetarët e PD, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, kërkuan që Basha të tërhiqet nga posti.

Deputetët i lanë afat deri sot (të enjten) Lulzim Bashës për të bërë një hap pas ashtu sikurse u shpreh edhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të shtunën. Ata kërkojnë përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar, të cilin e kanë propozuar përmes një peticioni të nisur nga një grup deputetësh.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike si mbajtësi i tagrit përfaqësues me të gjerë elektoral dhe atij më të lartë institucional, tagër që dervion nga vota e drejtëpërdrejtë e 622.000 zgjedhësve shqiptarë, ka përgjegjësinë të marrë masa që veprime të tilla të kryetarit të Partisë Demokratike që njëherazi është edhe deputet anëtar i PD dhe grupit parlamentar të saj, të mos vazhdojnë të cenojnë interesat dhe objektivat politike dhe elektorale të Partisë Demokratike dhe të grupit parlamentar të saj në funksion të qëllimit dhe interesit publik për forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjes në vend, duke siguruar rotacionin politik në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare.

Për sa më sipër në mbledhjen e tij, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e Brendshme të Grupit parlamentar të PD-së dhe nenet 15 në vijim të Rregullores së Kuvendit, në prani të kuorumit të nevojshëm dhem e shumicë votash, Grupi parlamentar i PD-së. Vendosi: Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim” nga grupi parlamentar i PD-së për deputetin z.Lulzim Basha; Në vijim të masës disiplinore sa më sipër deputeti z.Lulzim Basha humbet çdo tagër përfaqësimi për llogari të grupit parlamentar të PD-së dhe drejtimi të tij”, thuhet në dokument.

Megjithatë, duket se te ky dokument nuk ka ende një konsensus të gjerë dhe kjo ide ende nuk përbën shumicë. 

Të fundit