Flash News

E SHPJEGUAR

Skandali me listën e pagave, tre institucionet nga mund të kenë rrjedhur të dhënat personale të 630 mijë shqiptarëve

Skandali me listën e pagave, tre institucionet nga mund të kenë

Një listë me të dhënat personale të 637,183 qytetarëve shqiptarë u shpërnda përmes aplikacionit “Whatsapp”, duke shënuar rrjedhjen më të madhe të të dhënave zyrtare në vendin tonë.

Databaza përmban numrat personalë, emrat, subjektet punëdhënëse si dhe pagën mujore të të gjithë personave të regjistruar si të punësuar në sektorin publik dhe atë privat në Shqipëri.

Të dhënat e publikuara i përkasin pagës së janarit të vitit 2021, 4 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Zëdhënësi i qeverisë, Endri Fuga tha përmes një deklarate për shtyp se Ministria e Financave po e ndiqte me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë, por e cilësoi dokumentin si “ilegal’.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme.

Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, shkroi zëdhënësi i qeverisë Endri Fuga.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës tha se kishte nisur verifikimet, pasi kishte marrë një referim mbi rrjedhjen e të dhënave të të punësuarve në Shqipëri.

“Ka filluar verifikimi i materialeve të referuara,” tha drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, shkruan reporter.al. 

Por, cilat janë institucionet që disponojnë të dhënat të tilla dhe nga vjen burimi i informacionit që tashmë është përhapur gjerësisht.

Këto të dhëna, disponohen nga Drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore apo edhe AKSHI që menaxhon sistemin e e-Albania, por është në dorë të prokurorisë për të zbuluar përgjegjësit.

Patronazhistët

Rrjedhja e fundit e të dhënave pason një tjetër rast të njohur si “skandali i patronazhistëve”, ku një databazë me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë përdorej nga Partia Socialiste për qëllime elektorale.

Të dhënat e databazës së rrjedhur në media në muaji prill, tregonin se Partia Socialiste kishte krijuar një ushtri me mbi 9 mijë “patronazhistë” në Tiranë përpara zgjedhjeve, të cilët përdornin të dhënat personale dhe kontaktet e qytetarëve të Tiranës.

Të fundit