Flash News

E-TJERA

Krim, dhunë dhe tritol, sot ditë terrori në Shqipëri

Krim, dhunë dhe tritol, sot ditë terrori në Shqipëri

Kjo ditë është kthyer në një ditë terrori në disa qytete të vendit, ku brenda pak orësh janë shënuar dy vrasje dhe një shpërthim tritoli.

Durrës – Djali masakron të atin me thikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Durrës, ku një 25-vjeçar ka vrarë me thikë të atin në banesën e familjes në fshatin Shkallnur.

 Viktima është identifikuar si Pjetër Kodheli, 69 vjeç, ndërsa autori i dyshuar është i biri, Marjan Kodheli.

Sipas burimeve, konflikti mes tyre ka nisur brenda banesës dhe është përshkallëzuar me dhunë. Nëna e autorit ka qenë e pranishme gjatë krimit dhe ka tentuar ta ndalojë të birin, por pa sukses.

 Ajo ka ndërhyrë mes tyre, por 25-vjeçari ka vazhduar të godasë me thikë të atin, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën gjatë rrugës për në spital.

Tiranë – Sherr mes kolegëve përfundon në vrasje

Pak orë pas krimit të rëndë në Durrës, një tjetër ngjarje tronditi kryeqytetin. Në një lokal në zonën e Komunës së Parisit, një debat banal mes dy punonjësve përfundoi në tragjedi.

Kuzhinieri Indrit Salimllari, 34 vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, 41 vjeç, i cili punonte si picier në të njëjtin lokal.

Lokali në Komunën e Parisit

Sipas dëshmive, konflikti ka nisur pas akuzave për “bullizim” dhe fyerje të vazhdueshme që viktima i bënte autorit. Pas një debati të ashpër, Shehu ka nxjerrë thikën e punës dhe e ka goditur kolegun në pjesën e sipërme të trupit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të kolegëve dhe dërgimit në spital, 34-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Autori u arrestua menjëherë nga policia.

Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa banorët flasin për një tension të përhershëm mes dy punonjësve, që shpesh grindeshin në publik.

Berat – Konflikt për motive të dobëta përfundon me vrasje

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Berat, rreth orës 15:10 në lagjen e Kalas. Një konflikt mes dy shtetasve për motive të dobëta përfundoi tragjikisht me humbjen e jetës së një personi.

Shtetasi K. M., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë. Viktima ndërroi jetë në vendngjarje.

Shkodër – Shpërthim tritoli plagos punonjësin e Tatimeve

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm Shkodra është zgjuar nga një shpërthim i fuqishëm. Lënda plasëse ishte vendosur në një motor të parkuar pranë automjetit të punonjësit të Tatimeve, Enea Busukja, 38 vjeç.

Në momentin që ai tentoi të hipte në makinën e tij, motori shpërtheu duke e plagosur rëndë. Fatmirësisht, Busukja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas dëshmive, shpërthimi ndodhi në rrugën “Arra e Madhe”, ku dëmtimet prekën edhe një garazh pranë vendit të ngjarjes. Ndërkohë policia ka gjetur një makinë të djegur në periferi të qytetit, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Të fundit