Flash News

E-TJERA

Eksploziv makinës, policia merr në mbrojtje familjen e prokurorit Arjan Muça

Eksploziv makinës, policia merr në mbrojtje familjen e prokurorit

Policia ka marrë në mbrojtje familjen e prokurorit Arjan Muça, një ditë pas shpërthimit me tritol të makinës së tij. Makina tip “Benz” që iu vu eksplozivi, përdorej edhe nga bashkëshortja e tij, Gentjana Muça, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative Tiranë.

“Policia e Shtetit ka marrë në kushte emergjence në mbrojtje familjen Muça. Vendimi do të jetë në fuqi deri në mbledhjen më të parë që do të ketë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të përcaktoj përmes të gjithë kuadrit ligjor mbrojtjen. Duke qenë se bashkëshortja e Muçës është gjyqtare dhe akoma nuk dihet nëse sasia e lëndës plasëse i është vendosur asaj apo të shoqit, të njëjtën procedur për marrjen në mbrojtje pritet ta bëj edhe KLGJ” thuhet në njoftim.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e "Komunës së Parisit" në Tiranë dhe mendohet se ishte një mesazh paralajmërimi për Muçën dhe nuk kishte synim jetën e tij. Mjeti tip “Benz” me ngjyrë të zezë iu vu tritol teksa ishte i parkuar dy kate nëntokë brenda një qendre tregtare. Dëmet ishin vetëm materiale.

Prokurori Muça aktualisht është i komanduar pranë KLP-së dhe pas dëshmisë që dha dje për grupin hetimor, është marrë sërish në pyetje ditën e sotme ku ndër të tjera është shprehur se “nuk ka konflikte me asnjë person”.

Nuk dihet ende nëse shpërthimi ka qenë mesazh për vetë prokurorin, apo për bashkëshorten e tij, e cila është gjyqtare te Gjykata Administrative e Tiranës. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen, ndërsa policia po kqyr kamerat e sigurisë në zonë.

Të fundit