Flash News

E-TJERA

10 librat e vitit 2022 sipas botueses Anna Shkreli

10 librat e vitit 2022 sipas botueses Anna Shkreli

“Pasi dielli bie” nga Jonas Eika

Fitues i Çmimit të Këshillit Nordik për Letërsinë dhe kandidat për Man Booker 2022, “Pasi dielli bie” është një përmbledhje me 5 tregime, sa politike aq edhe fantastike, e cila ne situata absurde eksploron plagët e një shoqërie bashkëkohore të tëhuajzuar nga vlerat morale që e kanë shoqëruar gjatë historisë.

“Epigramet erotike"

“Epigramet erotike-Antologjia palatine", sjellë në shqip nga Sokol Çunga, është një thesar i vërtetë poetik dhe një nga burimet më të vlefshme për njohjen e poezisë së lashtë greke dhe atë bizantine. Në epigramet e përzgjedhura prej njërit nga librat parakalojnë perënditë dhe heronjtë, nimfat dhe satirët, filozofët cinikë dhe murgjit e Bizantit, luftëtarët dhe endëset e qyteteve, gratë modeste dhe kurtizanet, megistanët e pasur dhe lypësit, gostarët dhe asketët e shkretëtirës, filozofët dhe oratorët, gjeneralët dhe ushtarët, poetët dhe artistët, gjuetarët e pyjeve dhe fermerët, falltarët dhe astrologët, tiranët dhe udhëheqësit popullorë, zotërinjtë dhe skllevërit etj.

“Jeta shpirtërore” nga Alberto Moravia

Përkthyer mjeshtërisht nga Aida Baro, ky tekst është nga më të guximshmit e Moravias, autor italian i cili tani po rizbulohet dhe nga vetë lexuesit italianë, si çdo autor i mirë. Rrëfimtaria e Moravias gjen shteg mes analizës psikanaliste të personazheve dhe kritikës ndaj shoqërisë borgjeze. 

“Jetë Shkodrane” nga Cuk Simoni

Një thesar i veçantë i fshehur për shumë vite, del për herë të parë në dritë. “Jetë Shkodrane” është një rrëfim i mrekullueshëm i dinamikave shoqërore të Shkodrës së fundit të shekullit XIX, i katakterizuar nga ndërtimi i personazheve femërore krejt të pazakonta në letërsinë shqipe. Përshkrimet e hapësirave urbane dhe dokeve e zakoneve janë ndër tiparet më interesante të librit. 

“E vetmja histori” nga Julian Barnes

Julian Barnes është ndër autorët e mi të preferuar sa i takon letërsisë artistike. Ky libër është homazh i dhimbshëm për dashurinë e parë në jetë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm e të papërsëritshëm në jetën e secilit.  

“Qortimet e zotit Shyti” nga Ardian Vehbiu

Ky libër vjen si i treti i serisë së Zotit Shyti, i cili ka fituar një përmasë dhe më të pjekur sa i takon kritikës që i bën panoramës kulturore shqiptare. Libër sa therës aq dhe argëtues. 

“Njeriu pa cilësi” nga Robert Musil

Për momentin ka ardhur në shqip vetëm pjesa e parë e një libri që rrëfen mbi bjerrjen morale të një shoqërie dikur të shkëlqyeshme, tashmë në buzë të greminës. Ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë austriake. 

“E largëta dhe Qielli i rremë” nga Julio Cortazar

Cortazari ka aftësinë të eksplorojë skutat më të thella të ndërgjegjes shpirtërore përmes rrëfimit të tregimeve ku e përditshmja takohet me misterin. Të dy vëllimet vijnë në përkthim të mrekullueshëm. Ndër tregimet e preferuara: 

“Trans-atlantiku” nga Witold Gombrowitz

Novelë gjysmë-autobiografike e autorit dhe dramaturgut polak, e cila trajton ngjarjet e pas Luftës së Dytë Botërore. Një rrëfim plot të papritura i cili hulumton vetë ngarkesën e konceptit të ‘kombësisë’. 

“Shoqëria e Sfilitur” nga Byung Chul-Han

Autori është filozof bashkëkohor gjerman. Në një frymë të vetme, i ndarë në ese, libri analizon rraskapitjen si kusht social-historik i shoqërisë bashkëkohore.

Të fundit