Flash News

E-TJERA

10 librat më të mirë në shqip të vitit 2020; një përzgjedhje e të përzgjedhurve të Politiko

10 librat më të mirë në shqip të vitit 2020; një

Besnik Mustafaj

«Prilli i hidhur» nga Bardhyl Londo

Një arritje e re në veprën poetike madhore të Bardhyl Londos.Kontekstin e karantinës për shkak të pandemisë, poeti e shndërron mjeshtërisht në një metaforë të ekzistencës njerëzore, të cilën mbyllja e cënon në thelbin e saj.

Auron Tare

“Arbëria” nga Aurel Plasari

Një studim i shkëlqyer i Mesjetës.

Koloreto Cukali:

“Mbi Tiraninë” nga Timothy Snyder

Nuk është një libër që ti e lexon.Ky është libri që të “lexon” ty. I domosdoshëm për të kuptuar se ku jemi drejtuar dhe çfarë duhet të bëjmë, si komb, për të mos shkarë drejt autoritarizmit, a më keq, neo-fashizmit.Sidomos në 2020-n, nuk ka libër tjetër që të shpjegojë më mirë Shqipërinë e sotme.

Klementin Mile

"Zgjimi i Tokës" nga Knut Hamsun

Një roman që na kthen te rrënjët, në kuptimin ontologjik të fjalës, te toka prej së cilës, në epokën teknologjike, jemi arratisur. Romani i Hamsunit është përpjekje për t'i rezistuar kësaj epoke ku çdo gjë bëhet "pjesë këmbimi", e zëvendësueshme dhe aspak unike.Ai përvijon një alternativë tragjike përmes jetës fshatare, pasi kjo është e destinuar në mos të zhduket, të minimizohet deri në harresë.Por edhe pse tragjike, ajo shërben estetikisht si pozicion kritike për aktualitetin.

Agron Gjekmarkaj

“Anjeza nuk u zgjua” nga Preç Zogaj

“Historia si mushkë” nga Besnik Mustafaj

Jo një, por dy libra shqiptarë më kanë tërhequr vëmendjen si më të mirët e këtij viti, tri novelat e Besnik Mustafajt “Historia si mushkë” dhe romani i Preç Zogajt “Anjeza nuk u zgjua”. Novelat e Mustafajt për ekuilibrin mes historisë dhe realitetit, traditës dhe bashkohësisë, të asaj që i mban kohët lidhur, amza e memorieve e cila krijon trashigiminë e individit, shoqërive apo kombeve, dmth edhe të shkrimtarit që do ta përcjellë me tri histori të ndryshme, si tri pasqyra në të cilat lexuesi sheh veten dhe vetet e ata që do vijne pas tij.Ndërsa romani i Zogajt për estetikën e së bukurës, për dashurinë e cila përgjysmohet nga vdekja për t’u sublimuar pikërisht prej saj, për universalizimin e elementit autobiografik dhe stilin lirik të prozës, pa rënë në asnjë çast në ngashërimin e banales.

Stefan Çapaliku

“Çashtje mbi çashtje” nga Kolë Ashta.

Me botimin e këtij libri studiuesit e letërsisë shqipe, studentët, shkollarët e tjerë, por edhe lexuesit e thjeshtë do gjejnë perspektiva të reja nga mund të këqyrin zhvillimet e letërsisë shqipe nga ajo më e vjetra deri te bashkëkohësit e Kolë Ashtës. Gjithashtu ata do njihen edhe me vrullet estetike të një djaloshi, të nisur për t’u bërë shkrimtar, por të kthyer në fillim të rrugës, për t’u marrë më vonë eskluzivisht me filologji.

Boiken Abazi

“Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale” nga Faik Konica

“Ese mbi edukimin” nga Faik Konica

Nga revista ‘Albania”… te vizioni Albaniapër qytetari e shoqëri dhe revizionim të saj.…Sa është distanca nga një Faik te një Konicë? Dhe cila do të ishte, në rastin e tij, njësia matëse në domenin letrar, lëvruar prej shkrimit, dhe ajo e lëruar në terrenin e kontekstit historik, prej rolit e përfshirjes edhe si misionar?

Ç’peshë specifike ka jeta dhe shkrimi te jetëshkrimi i një tribuni të kësaj rëndësie, që e shpërngulte, sa lehtësisht aq me voli, ngado gjendej vetë, edhe qendrën e rëndesës mbi artikulimin e lëvizjes kombëtare?

Në ç’rrethana, emergjenca për akte veprash atdhetare, kushtëzon pakte me haraç tributi ndaj artit të veprës letrare?

…Ajo botë e letrave, “Albania” revistë, a do të qe krijuar pa një Faik! E nëqoftë se nuk do ta kishim korpusin e saj - peshën së cilës e mbajti mbi shpatulla mësëshumti vizioni i Konicës mbi Shqipërinë dhe një qytetari e shoqëri shqiptare me revizionimin e saj-, pra pa qenë kryer revista “Albania”, vallë e themi dot me siguri të plotë se do qe kryer vërtet Shqipëria që sot e kemi?

A do të qe trupëzuar një Shqipëri më vete, politike, edhe pa atë dosje poetike nga njerëzit e letrave, me dëshmi shpëtimtare gjuhën, atëbotë verdikti fuqie, avokatinë ndaj të cilit e pat marrë mbi vete gjuha dhe shkrimi, edhe në arenën “Albania”?!

Dhe si, ky Faik botues, rrotullohet rreth vetes shkrues shkrimtar e gjithaq predikues, e njëkohësisht, rreth diellit të atdhetarisë! Pa të cilin s’bën dot, dhe në çdo rrethanë, vendndodhje e ndodhi, nuk ia ndan sytë. Deri në atë pikë durimi kur nuk e përballon dot ta shohë më gjatë. E kur nga lindja avitet duhia e ngeshme e zhegut të vapës dhe ia përvëlon lëkurën, ky i kthehet me tema e nëma të vjetra pagane dhe anatema risi koniciane.

Si e kalëronte ky pasardhës bukurie, beau comme un chevalier albanais, hapësirën e qëmtuesit modern e shkruesit poliedrik universal dhe, njëherit, botues erudit nëpër shtigjet e gjuhës, edukimit, qytetarisë dhe kombëtares; pastaj, si e zhvendos shënjestrën në ulje-ngritje sipas destinacionit dhe niveleve të lexuesit, dhe si i ndante mes rrathëve në sferën e shkrimit, paralelet dhe meridianët për adresimet e tij; pastaj, ato në qitjet që shenjonin afër e larg, diku edhe të ngjashmit duke i veçuar të tjerët, e diku anasjelltas; kurse, aty-këtu, pothuaj të tërë pa përjashtim! E prapë… si mbahej kjo marrëdhënie kalorsiake e kësi plejade edhe në fjalë burrash!

E prapëseprapë… si, ky zë kontroversial revolte, apel i fjalës së lirë, lirisë dhe laicizmit emancipues, u ngrit gjer në volum enciklopedie Albanie, që e shfaq atë ndër ne, njëherit, edhe Volter edhe Didero?!

-Krenar Zejno, fragment nga parathënia e botimit “Zenit”

 

Të fundit