Flash News

E-TJERA

13-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, si uruan politikanët shqiptarë

13-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, si uruan

Politikanët shqiptarë kanë uruar ditën e sotme Kosovën me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka zgjedhur një foto të veçantë për të uruar 17 shkurtin, foto në të cilën shfaqet këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, me flamur shqiptar dhe atë të Kosovës.

13-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, si uruan

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, nëpërmjet një videoje shpreh urimin e tij për shtetin fqinj. Basha shprehet se kjo është data e dytë më e rëndësishme për kombin tonë si dhe thotë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë vetëm.

Postimi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër nga Kosova,Në këtë datë, të dytën më të rëndësishmen të kombit tonë, dua t’ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë!Sot kujtojmë me nderimin më të thellë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe mijëra bijat dhe bijtë e Kosovës që vunë në altarin e lirisë dhe pavarësisë jetët e tyre dhe gjakun e tyre.Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës.Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës.Edhe një herë ju uroj nga zemra, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka uruar 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kryemadhi shprehet se 17 shkurti kurorëzoi aspiratat shekullore të popullit shqiptar për Kosovën e pavarur, dhe shton se Kosova po ashtu në zgjedhje dha shembull të respektit ndaj shtetit e vullnetit të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Sot, Kosova feston Ditën e Pavarësisë.

17 shkurti i 13 viteve më parë, kurorëzoi aspiratat shekullore të saj për liri e pavarësi, drejtësi e dinjitet njerëzor, për të cilat bënë sakrificat më sublime mijëra djem e vajza të saj.

Në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE.

Me zgjedhjet e zhvilluara pak ditë më parë, Kosova dha një shembull tjetër të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të saj. Unë besoj dhe uroj që përballimi i pandemisë, zhvillimi i mëtejshëm ekonomik e social, përparimi me agjendën e integrimit në BE, si dhe marrëveshja e normalizimit me Serbinë që ka në thelb njohjen reciproke, janë sfida që Kosova do t’i përballojë në mënyrë të suksesshme.

Gëzuar 17 shkurtin, gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovë!

Të fundit