Flash News

E-TJERA

2 të zhdukurit në Sarandë, Karamuço: Ja si mund të shkohet drejt gjetjes së tyre

2 të zhdukurit në Sarandë, Karamuço: Ja si mund të

Misteri i zhdukjes, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit vazhdon të mbetet një enigmë për policinë. Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka shpërndarë në rrjetin e tij social një shkrim në lidhje me zhdukjen e dy 46-vjeçarëve.

Eksperti sjellë në vëmendje një metodë interesante e cila mund të shërbejë në zgjidhjen e çështjes. Të përdorësh mjaltin për të zgjidhur një krim!

Mjalti ruan të dhëna të shumta mbi përbërjen e asaj që bletët janë ushqyer. Nëpërmjet tij mund të gjenden madje dhe gjurmë ADN-je, të trupave të dekompozuar, duke qenë se këto gjurmë shpërndahen në rrjetin nëntokësor dhe lulet i kanë në përbërjen e tyre, të cilat pasi “vizitohen” nga bletët, transferohen dhe në mjaltë.

Kur po i tregoja një homologu të huaj për rastin e zhdukjes dhe dyshimet për groposjen e dy personave në Sarandë, ai më tregoi për një teknikë të re forensike. Ndiqni bletët dhe analizoni mjaltin e tyre në zonat ku dyshohet më shumë. Universiteti George Mason në Virginia u vu në ndihmë të policisë me këtë teknikë dhe zbuloi dy viktima përpara disa kohësh.”, Karamuço.

Hetimet

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Leonard Thodhori ka shitur një tokë tek persona me precedentë penalë dhe pas kësaj mes tyre ka lindur mosmarrëveshje lidhur me pronësinë dhe pagesat.

Thodhori rezulton të jetë thirrur në mirëbesim në qytetin e Sarandës për të kontaktuar me persona me të cilët ka kryer një marrëveshje për shitjen e një prone. Këta persona nuk banojnë në qytetin bregdetar.

Konflikti mendohet të ketë agravuar edhe më tej çka ka futur në funksion planin e rrëmbimit të tij. Për këtë mund të jenë përdorur si karrem duke shfrytëzuar njohjen dhe mirëbesimin, persona që kanë arritur ta marrin pa forcë Thodhorin dhe shokun e tij Sulovari në automjetin “Mercedes-Benz” në orët e para të 7 prillit.

Pasi janë futur në automjet, dy 46-vjeçarët mendohet se kanë rënë pre e planit të rrëmbyesve të cilët me pas i kanë çuar drejt fshatit Vrinë për t’i ekzekutuar e groposur.

Policia mendon se kemi të bëjmë me një strukturë të mirëorganizuar kriminale e cila është kujdesur të mos lerë gjurmë e prova.

Kjo strukturë përbëhet nga persona, pjesëtarë të së cilës mund të jenë përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në vendin tonë, të cilat jo domosdoshmërish kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe që fijet i lidh herë trafiku ndërkombëtar i drogës, herë konfliktet e pronësisë e herë motivet e dobëta e deri ato banale.

Të fundit