Flash News

E-TJERA

260 mln euro të shpenzuara për zero siguri, inertet bien mbi mjet në aksin Qukës – Qafë Plloçë

260 mln euro të shpenzuara për zero siguri, inertet bien mbi mjet

Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë është kthyer në një gangrenë për drejtuesit e mjeteve, sidomos në kushtet e vështira atmosferike. Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shembje dhe rrëshqitje të vazhdueshme të dherave, duke e kthyer këtë rrugë në një rrezik konstant për qytetarët.

Situata është përsëritur sërish, këtë herë duke vënë në rrezik serioz jetën e përdoruesve të rrugës. Në momentin e rrëshqitjes, një masë e madhe dheu ka rënë mbi një automjet që ishte në lëvizje. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Rruga Qukës – Qafë Plloçë ka kushtuar rreth 260 milionë euro, pas një periudhe shumëvjeçare ndërtimi, dhe u hap për qarkullim në shtator të vitit 2025.

Megjithatë, vetëm pak kohë pas inaugurimit, aksi ka shfaqur probleme serioze sigurie, duke ngritur shqetësime për cilësinë e punimeve dhe projektimin teknik. Pak javë pas hapjes, një rrëshqitje masive shkëmbinjsh dhe dheu bllokoi një pjesë të rrugës, duke ndaluar qarkullimin normal të mjeteve dhe duke detyruar devijime në rrugë alternative.

Terreni malor rezulton i paqëndrueshëm dhe ka shfaqur çarje dhe rrëshqitje edhe në kushte reshjesh të zakonshme, çka ngre pikëpyetje serioze mbi studimet gjeologjike, mbikëqyrjen e punimeve, cilësinë e materialeve dhe zbatimin teknik të projektit.

Pavarësisht problemeve të vazhdueshme, autoritetet vijojnë të kryejnë vetëm riparime të përkohshme, pa marrë masa afatgjata që garantojnë sigurinë e qytetarëve. Një rrugë e “arrnuar” që shfaq probleme pothuajse çdo muaj, duke vënë në dyshim serioz menaxhimin dhe përdorimin e 260 milionë eurove nga taksat e qytetarëve.

Të fundit