Flash News

E-TJERA

28-vjeçari humb jetën në fushë pas atakut kardiak, FSHF: Mori ndihmë mjekësore, por nuk mbijetoi

28-vjeçari humb jetën në fushë pas atakut kardiak, FSHF:

Bledar Hajdari, futbollist i FC Dajtit, humbi jetën pasi pësoi atak kardiak në fushën e lojës.

28-vjeçari u dërgua në spital pasi pësoi atak në gjysmëfinale e kampionatit 9×9, por nuk arriti të mbijetojë.

Në një reagim, Federata Shqiptare e Futbollit sqaron se i riu ka shfaqur shqetësime në fushën e lojës dhe më pas është rrëzuar. Ai është dërguar me urgjencë në spital për të marrë asistencë mjekësore.

FSHF ka shprehur ngushëllime për familjarët e 28-vjeçarit dhe skuadrën e tij.

“Federata e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur sot gjatë ndeshjes së vlefshme për gjysmëfinalet e kampionatit të futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League Albania”, FC Dajti-FC Lumninese në Shtëpinë e Futbollit .

Gjatë ndeshjes futbollisti i FC Dajtit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është rrëzuar në fushën e lojës.

Menjëherë i është dhënë ndihma e shpejtë, duke e transportuar urgjentisht me ambulancën e pranishme në ndeshje për në spitalin e Traumës.

Për fat të keq, pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë.

FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Në këto momente të vështira, Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë”, thuhet në reagimin e FSHF.

Të fundit