Flash News

E-TJERA

30 emigrantë të tjerë nisen drejt Gjadrit/ Rritet numri i të strehuarve në qendrën e riatdhesimit

30 emigrantë të tjerë nisen drejt Gjadrit/ Rritet numri i të

Një tjetër grup emigrantësh të kombësive të ndryshme ka mbërritur sot në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për strehimin e përkohshëm të të huajve të paligjshëm që presin riatdhesimin.

Anija e Marinës italiane “Spica”, me rreth 30 emigrantë në bord, u nis nga porti i Brindisit mëngjesin e sotëm me destinacion qendrën e paraburgimit për riatdhesim (CPR) në Gjadër, Lezhë. Kjo është hera e katërt që Italia dërgon emigrantë në Shqipëri, pas transferimit të mëparshëm të kryer më 11 prill.

Aktualisht, objekti në Gjadër strehon rreth 50 persona, ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme italiane, 30 emigrantë janë riatdhesuar deri më tani nga kjo qendër.

Ndërkohë, pritet vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila po shqyrton apelimet e ngritura nga Gjykata e Romës, që ka kontestuar ligjshmërinë e ndalimeve dhe transferimeve të këtyre emigrantëve në Shqipëri, sidomos kur ata vijnë nga vende që Italia i klasifikon si “të sigurta”, si Egjipti dhe Bangladeshi.

Në një reagim për shtypin, Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, u përpoq të justifikonte praktikat e zbatuara, duke deklaruar:

“Nuk është e vërtetë që ne dërgojmë në Shqipëri emigrantë që janë thjesht në parregullsi administrative. Kemi riatdhesuar individë të dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë përdhunim dhe pornografi me fëmijë.”

Transferimi i fundit po zhvillohet mes kritikave të ashpra nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Human Rights Watch, që i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos e trajtojë Ballkanin si “kosh mbeturinash” për emigrantët e padëshiruar.

Të fundit