Flash News

E-TJERA

300 afganët e parë pritet të mbërrijnë në Rinas sot pasdite

300 afganët e parë pritet të mbërrijnë në Rinas

300 afganët e parë pritet të vijnë në vendin tonë rreth orës 17:00.

Sipas Top Channel, pas negociatave të bëra me SHBA, Shqipëria ka pranuar të presë rreth 2 mijë afganë, ndonëse ende nuk ka një numër zyrtar.

Këtë fakt e pohoi një ditë më parë edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim në një prononcim për gazetarët pasi zhvilloi një takim me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Sipas Kim, nuk dihet se sa do jetë numri i afganëve që do strehohen në Shqipëri për shkak se situata ndryshon nga momenti në moment, ndërsa shtoi se qëndrimi i tyre këtu do jetë i përkohshëm, pasi destinacioni i tyre final do jetë SHBA.

Mësohet se shumë prej tyre do të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë. Veç Qytetit Studenti, një tjetër skenar përfshin edhe strehimin e një pjesë të tyre në disa hotele në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe pse kapacitetet e strukturave akomoduese janë më të kufizuara për shkak të fluksit të turistëve.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit para tre ditësh pas tërheqjes së trupave amerikane. Udhëheqësit afganë dhe bashkëpunëtorët me vendet e huaja janë larguar nga vendi pasi atje u rrezikohet jeta nga hakmarrja e talebanëve. Mijëra afganë kanë pushtuar aeroportin e kryeqytetit, Kabulit, i cili është ende nën kontrollin e forcave ndërkombëtare, në përpjekje për tu larguar nga vendi.

Të fundit