Flash News

E-TJERA

4 vite pas tërmetit, shkollat e Durrësit nuk janë ende gati për vitin e ri shkollor

4 vite pas tërmetit, shkollat e Durrësit nuk janë ende gati

Për të katërtin vit radhazi pas tërmetit të 26 nëntorit, edhe këtë vit të ri shkollor që nis më 11 shtator, mijëra nxënës të shkollave dhe vogëlushë të kopshteve të Durrësit nuk do të mund të ndjekin procesin mësimor në institucionet e tyre arsimore.

Do të jenë nxënësit e 8 shkollave dhe kopshteve që do të zhvillojnë mësimin në shkolla të tjera pritëse, pasi rikonstruksioni apo rindërtimi i godinave nuk ka përfunduar ende.

Programi “BE për Shkollat”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, mori përsipër riparimin/rindërtimin e 18 objekteve arsimore sipas standardeve evropiane, duke ofruar kushte më të mira arsimore për 7,229 nxënës, fëmijë dhe mësues.

“Deri më tani punimet civile kanë përfunduar në 8 objekte arsimore”,– bëri të ditur për “DurrësLajm”, zyra e shtypit pranë UNDP. Përfitues janë 3,393 nxënës, fëmijë dhe mësues.

Objektet arsimore të përfunduara:

Shkolla e Mesme Profesionale “Hysen Çela”;

Kopshti “1 Qershori”;

Kopshti “Ismet Nanushi”, Kullë, Sukth;

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ismet Nanushi”, Kullë, Sukth;

Shkolla e Mesme “Dhosi Liperi”, Sukth;

Shkolla e Mesme “Olsi Lasko”;

Çerdhja Nr. 3; dhe

Çerdhja Nr. 2.

Nga gjimnazet e qytetit që u përfshinë në programin e rindërtimit, vetëm “Olsi Lasko” do të jetë gati për të pritur nxënësit në fillim të muajit shtator.

Ndërkohë vijojnë punimet tek gjimnazet kryesore si “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”, por edhe në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”.

Këto shkolla të mesme janë mes godinave arsimore ende të papërfunduara.

Shkolla 9 – vjeçare dhe kopshti “Eftali Koci”;

Shkolla 9 – vjeçare “14 Nëntori”;

Shkolla e Mesme “Naim Frashëri”;

Shkolla e Mesme “Gjergj Kastrioti”;

Kopshti Bizë, Ishëm;

Kopshti Kuçok, Manëz;

Shkolla e Mesme Profesionale “Bernardina Qerraxhia”;

Konvikti “Bernardina Qerraxhia”

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ecurisë së procesit të rindërtimit, me mijëra nxënës të gjimnazeve të qytetit kanë përfunduar vitet e shkollës së mesme pa studiuar për asnjë ditë të vetme në shkollat e tyre.

 

 

Të fundit