Flash News

E-TJERA

45 kg kanabis dhe armë luftarake, goditet grupi kriminal në Elbasan – tre në pranga, plagoset një efektiv

45 kg kanabis dhe armë luftarake, goditet grupi kriminal në Elbasan

Një operacion i mirëorganizuar i zhvilluar në orët e vona të natës ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë.

Sipas burimeve zyrtare, në automjetin me të cilin lëviznin të arrestuarit janë sekuestruar rreth 45 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, një armë luftarake me municion, një sasi e konsiderueshme parash si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Operacioni është shoqëruar me ndjekjen e mjetit që dyshohej se transportonte drogën. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i automjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e policisë dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur bllokimin e mjetit, duke neutralizuar situatën dhe vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.

Gjatë ndërhyrjes, një punonjës policie ka mbetur i plagosur aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Të fundit