Flash News

E-TJERA

45.5 miliardë lekë për koncesionet në Shëndetësi, sa do t'i kushtojnë PPP-të buxhetit të shtetit për 2022-shin

45.5 miliardë lekë për koncesionet në Shëndetësi,

Rreth 45.5 miliardë lekë i kanë kushtuar buxhetit të shtetit kontratat me koncesion PPP në Shëndetësi. Për periudhën 2015 deri në 2021 janë realizuar pagesa nga shteti në vlerën rreth 17.3 miliardë lekë, ndërsa për vitet e ardhshme mbetet për t’u paguar në total 28.2 miliardë lekë.

Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se in vestimi total i shtetit mbi PPP-të në Shëndetësi është rreth 9%. Aktualisht janë 4 kontrata koncesioni që po zbatohen në sistemin e Shënetësisë, të cilat marrin mbështetje të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Konkretisht, bëhet fjalë për kontratën koncesionare për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç ose siç njihet ndryshe Check Up, më një vlerë investimi 172 020 000 lekë pa TVSH dhe me një vlerë të plotë që përfshin pagesat publike nga buxheti që shkon në 8 760 826 000 lekë.

Kontrata PPP Për ofrimin e shërbimit të hemodializës  ka vlerë investimi 1 178 355 000 lekë pa TVSH, ndërsa vlera e plotë e kontratës që përfshin pagesat nga buxheti fonde publike buxhetore është 7 221 364 000 lekë.

Kontrata koncesionare për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ka vlerë investimi 1 503 282 000 lekë pa TVSH, e ndërsa vlera e plotë e pagesave buxhetore është 16 500 000 000 lekë.

Kontrata koncesionare për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore mban një vlerë investim prej 1 442 824 000 lekë pa TVSH ndërsa vlera e plotë e kontratës sipas Relacionit Projekt Buxhetit 2020 është  13 005 966 000 lekë.

Për vitin 2021, nga buxheti i shtetit janë paguar rreth 3.64 miliardë lekë për Kontratat e Koncesionit PPP në sektorin e Shëndetësisë, duke zënë kështu rreth 31.7% të pagesave totale buxhetore faktike për Kontratat e Koncesionit/PPP, me një rritje prej 7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020.  

Për vitin 2022 janë planifikuar të paguhen nga Buxheti i Shtetit rreth 13.8 miliardë lekë për të gjitha kontratat Koncesion PPP me mbështetje nga Buxheti i Shtetit, prej të cilave rreth 4.75 miliardë do të paguhen vetëm për PPP në Shëndetësi, që përbëjnë rreth 34.4% të planifikimit vjetor.

Për periudhën 2015-2021 për PPP e Kontrollit shëndetësor të detyrueshëm janë paguar rreth 4.30 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Për vitin 2020 dhe 2021, pagesat nuk janë kryer të plota për shkak të pezullimit të operimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Për vitin  2017-2021 janë likujduar rreth 7.88 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, ndërkohë mbeten për tu paguar rreth 8.62 miliardë lekë.

Të fundit