Flash News

E-TJERA

5 të ndaluar në Filipine, zbulohet skema e trafikimit të punëtorëve drejt Shqipërisë

5 të ndaluar në Filipine, zbulohet skema e trafikimit të

Pesë individë të dyshuar si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore janë ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar Mactan-Cebu në Filipine, ndërsa synonin të udhëtonin drejt Shqipërisë për punë.

Sipas Byrosë së Imigracionit (BI), personat të moshës nga fundi i të 30-ave deri në të 40-at, kishin planifikuar fillimisht një fluturim drejt Tajlandës më 12 prill.

Fillimisht ata deklaruan se udhëtimi ishte për qëllime turistike, por më vonë pranuan se destinacioni i tyre final ishte Shqipëria, ku synonin të punësoheshin si pastruese.

Autoritetet bëjnë me dije se secili prej tyre kishte paguar rreth 90 mijë peso për përpunimin e dokumenteve dhe ishte udhëzuar nga rekrutuesit të kalonte përmes Tajlandës, ku do të prisnin organizimin e mëtejshëm të udhëtimit drejt Shqipërisë.

Pas ndalimit, ata iu dorëzuan Këshillit Ndër-Agjenci Kundër Trafikimit për hetime të mëtejshme dhe për ngritjen e akuzave ndaj personave të përfshirë në këtë skemë të dyshuar.

Rasti vjen në një kohë kur Shqipëria po sheh një rritje të numrit të punonjësve të huaj, pas emigracionit masiv të të rinjve. Deri më tani, një pjesë e konsiderueshme e tyre vijnë nga vende si Turqia, vendet afrikane, Egjipti, Filipinet, India, Kina dhe Ukraina.

Pak ditë më parë, ambasadori i Indisë në Tiranë Ravindra Prasad Jaisëal, e ka cilësuar Shqipërinë si një destinacion në rritje për fuqinë punëtore indiane. “India është një fuqi e madhe e punëtorëve të kualifikuar dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha pjesët e botës… por në Shqipëri numrat janë ende të ulët”, u shpreh ai.

Të fundit