Flash News

E-TJERA

500 mijë dollarë nga Rusia, ç’deklaronte Lulzim Basha si i pandehur për lobimin rus

500 mijë dollarë nga Rusia, ç’deklaronte Lulzim Basha si

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë nga dhjetëra vende që nga viti 2014, përfshirë këtu edhe ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Deklarata vjen nga një zyrtar amerikan i cili pohon se Basha ka përfituar nga Rusia gjatë vitit 2017 rreth 500 mijë dollarë, shumë kjo që përkon me atë të hetimeve që janë hapur në Shqipëri bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Lulzim Basha u mor i pandehur nga Prokuroria në 2019-ën pas hapjes së hetimeve për lobimin rus. Bazuar në hetimin e prokurorisë rezultoi se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Por, ç’deklaronte Lulzim Basha asokohe?

Basha akuzoi dhe bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për çështjen e lobimit rus duke i quajtur të gjitha akuzat sajesa dhe qesharake të bëra nga dora e Ramës.

“Me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Edi Rama ka një vit e gjysmë që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”, deklaroi asokohe Basha.

Çështja e pagesave të kryera nga PD-ja u hap në nëntor të vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Bazuar në deklarimet e kompanisë, thuhet se kishte marrë tre pagesa në një shumë prej 675 mijë dollarësh për punën në favor të Partisë Demokratike për vitin 2017. Pagesa e parë mbante datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, ndërsa dy pagesat e tjera janë bërë nga PD-ja më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Ky i fundit e mohoi përfshirjen e tij në lobim, duke ia lënë përgjegjësinë kompanisë ‘Muzin’.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta. Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, është shprehur Basha.

Të fundit