Flash News

E-TJERA

"500 mln euro dalin jashtë vendit nga bastet online", ekspertët: Ministria e Financave mban peng ligjin

"500 mln euro dalin jashtë vendit nga bastet online",

Tregu i basteve online në Shqipëri mbetet një fenomen që nxit informalitetin, ku përfituesit janë grupe të caktuara që veprojnë në shkelje të ligjit dhe kompani të huaja, që nuk paguajnë asnjë taksa në Shqipëri.

Shkak është bërë zvarritja prej Ministrisë së Financave për të nxjerrë aktet nënligjore, duke e bërë të pazbatueshëm ligjin e miratuar nga parlamenti plot 2 vjet më parë.

Sipas ekspertëve, kjo vonesë ka krijuar një terren ideal për operatorët e huaj që operojnë në të zezë dhe që marrin nga Shqipëria rreth 500 milionë euro në vit, ku vetëm taksat që do të merrte shteti përllogariten në 100 milionë euro në vit.

“Humbet jo vetëm publiku që investon para, por edhe vetë shteti nga mosmbledhja e taksave. Sipas hulumtimeve, janë rreth 100 milionë euro detyrime tatimore të papaguara dhe rreth 500 milionë euro fitime të kompanive të huaja që operojnë në mënyrë jo ligjore në Shqipëri. Në këto kushte largohen operatorët seriozë,” tha Artur Ribaj, ekspert i financave në tv Klan.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se ligji po mbahet peng nga faktorë që përfitojnë drejtpërdrejt nga tregu i paligjshëm i lojërave të fatit, duke ndikuar tek institucionet që duhet ta zbatojnë atë.

“Është e vështirë të thuash çfarë e pengon, sepse nuk duhej të kishte pengesa në këtë drejtim. Përderisa ligji detyron institucionet përkatëse për aktet nënligjore, mungesa e tyre e bën të pavlefshëm edhe ligjin. Përderisa kanë kaluar dy vite, ka faktorë madhorë që e dinë pse nuk po hartohen këto akte”.

Ligji parashikon hartimin e vetëm 11 akteve nënligjore dhe dhënien e vetëm 10 licensave. Por, pa një proces licencimi të qartë, aktiviteti mbetet në paligjshmëri të plotë dhe kjo situatë, sipas ekspertëve, jo vetëm që rëndon buxhetin, por po nxit pastrimin e parave dhe po godet familjet shqiptare.

 

Të fundit