Flash News

E-TJERA

90 kilometrat e rrugës Milot-Fier do të kushtojnë 837 milionë euro

90 kilometrat e rrugës Milot-Fier do të kushtojnë 837

Ndërtimi i rrugës Milot-Fier do të kushtojë 837 milionë euro.

Rruga ekzistuese Milot-Thumanë 13.5 kilometra e gjatë do të rehabilitohet për t’iu përshtatur një aksi me shpejtësi të lartë. Rikonstruksioni do të kushtojë 44.6 milionë euro.

Autostrada do të lidhet më pas me rrugën Thumanë-Kashar, kontratë koncesionare e cila u firmos 2 muaj më parë dhe kalimi i mjeteve aty do të kushtojë 2.5 euro.

Një tjetër kontratë koncesionare është ajo për aksin Kashar-Pezë-Lekaj, 33.6 kilometra rrugë e re, e cila do të kushtojë 474.8 milionë euro.

Segmenti do të përfundojë me rrugën Lekaj-Konjat-Fier. 42.2 kilometra të këtij aksi do të rehabilitohen me një kosto 317.6 milionë euro.

Fatura e ndërtimit të rrugëve do të përballohet nga kompania që do të fitojë tenderin, e cila më pas do të vendosë tarifa për kalimin e automjeteve, ndërsa buxheti i shtetit do t’i mbulojë një pjesë të trafikut nëse fluksi i mjeteve nuk do të jetë sipas skenarit të tenderit.

Vlera e tarifës dhe sasia e fluksit që do të garantojë buxheti do të jenë përcaktuesit e përzgjedhjes së fituesit në këtë garë.

Shqipëria tentoi të jepte me koncesion të gjithë aksin Milot-Fier në vitin 2020 për një vlerë ndërtimi 1.18 miliardë euro, por tenderi u anulua pasi kompania pjesëmarrëse zotohej të përfundonte punimet për 5 vjet.

Në dokumentet e tenderit qeveria kërkon që e gjithë vepra të mbarojë brenda 3 vitesh e gjysmë, ndërsa tarifa për rrugën nga koncesionarët do të vilet deri në vitin e 35-të të kontratës, periudhë pas të cilës segmenti do t’i transferohet shtetit./ Euronews Albania

Të fundit