Flash News

E-TJERA

A mund ta prodhojë Shqipëria të gjithë ushqimin që i duhet?

A mund ta prodhojë Shqipëria të gjithë ushqimin që i

Sondazhi i Gallup, i ndërtuar mbi pyetjen “Nëse do të kishte një luftë ku përfshihet vendi juaj, a do të luftonit për vendin tuaj?” tregon se 60% e shqiptarëve u përgjigjën Po dhe 28% Jo.

Në vendet europiane, ku një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë emigruar, përgjigjja është më pak entuziaste. Në Itali, vetëm 14% tregojnë vullnet për pjesëmarrje në luftë, në Gjermani 23%, në Mbretërinë e Bashkuar, 33%.

Në BE, mesatarja pro pjesëmarrjes është 32%, në gjithë Europën 47%, në vendet europiane joanëtare të BE-së ajo arrin në 61%. Në vendet e rajonit, Serbia përgjigjet vetëm 32% pro, Maqedonia e Veriut 34%, e Kosova 79% pro.

Patriotizmi mbetet një vlerë e lartë e shqiptarëve, por pyetja nuk specifikon nëse do të merrni armët për të mbrojtur vendin tuaj kur sulmohet, apo do të jeni pjesë e një koalicioni vendesh të përfshira në luftë, e lufta zhvillohet në vende të treta.

Ekspertët dhe politikanët mund ta interpretojnë nëse “psika” që vepron është e trashëguar e bazohet mbi sloganet “mbrojtja e atdheut detyrë mbi detyrat”, “i gjithë populli ushtar”, apo nëse italianët, gjermanët, i shikojnë luftërat të ndodhin vetëm jashtë vendit të tyre.

Por, ndërsa në luftë mund të shkosh dhe me duar në xhepa, a mund të shkosh me barkun bosh?

Një karakteristikë e ish-regjimit socialist në Shqipëri është thjeshtëzimi në përgjithësi dhe ai i luftës në veçanti, si sloganet “nëse nuk keni armë, gjeni”, “i gjithë populli ushtar”, dhe lufta me mjete rrethanore.

Paralelisht me këtë marshonte domosdoshmërisht edhe thjeshtëzimi i çdo gjëje tjetër – ekonomisë, politikës, ushqimit. Prodhojmë çdo gjë (asgjë) vetëm me forcat tona, fronti popullor demokraci e vërtetë, si dhe ushqimi po rrethanor me tufëza e arëza, i përkthyer në triska, tallona, e radhë.

Lufta me mjete rrethanore ndoshta mund të bëhet nëse do të rrëzosh gurë nga mali, ndërsa ushqimi me mjete rrethanore duket i pamundur. Një gjahtar-mbledhës i kohëve parahistorike mund të siguronte ushqim të mjaftueshëm në një territor nga 26 km² deri në 250 km².

Në territorin e Shqipërisë, me ushqim vetëm nga natyra – ku njerëzit gjuajnë kafshë të egra e mbledhin fruta e barishte – mund të mbijetojnë nga 110 deri në 1100 njerëz.

Bujqësia e sotme nuk ia del të sigurojë gjithë ushqimin në vend. Këtë e tregon jo vetëm importi i ushqimeve në rritje nga viti në vit – në vitin e fundit mbi 1.5 miliardë euro – por edhe historikisht vendi nuk ka arritur të prodhojë ushqime të mjaftueshme.

Një vit dikur, si në përralla, u tha se u sigurua buka në vend, ndoshta kjo e llogaritur si sasi e përgjithshme prodhimi drithërash e raportuar pjesëtuar me sasinë e nevojshme ditore si kalori apo gram për frymë, por jo sasi reale konsumi.

Dyqanet e bukës në qytete ishin po aq bosh sa ato të mishit, qumështit e perimeve. Në familje hahej në rastin më të mirë me kursim gjithmonë, e në fshat buka ishte vetëm e misrit. I vetmi sukses, si atëherë dhe tani, mbeten shifrat, ku çdo gjë është në rritje – prodhimi, rendimentet, eksportet, konsumi.

Ndërsa në sistemin e kaluar kjo ishte e kuptueshme, madje arma kryesore e propagandës që mbushte mendjet me lugë të zbrazur, mbetet e pakuptueshme pse edhe sot vazhdohet me shifra të pasakta, të paqarta, por që gjithmonë tregojnë rritje kudo.

Statistikat e vitit të largët 1927 të përgatitura nga z. Teki Selenica janë një bazë e mirë për të pasur një tablo më të qartë të shifrave të pandikuara nga politika, edhe pse një pjesë e mirë e botimit statistikor të tij merret me historinë duke filluar nga pellazgët, me arritjet e qeverisë, etj.

Sidoqoftë, të dhënat bujqësore për kohën duken të jenë të mira.

Selenica, një nëpunës i rrallë në këto troje, thotë se sipërfaqja totale e llogaritur sipas llojit të tokave del më pak sesa sipërfaqja fizike prej 28 mijë km², por kjo vjen sepse nuk mund të matej e gjithë sipërfaqja e maleve dhe pyjeve, ndërsa të dhënat për tokën bujqësore duken të besueshme.

Sipas të dhënave të Prefekturave të asaj kohe llogariten 241 mijë ha tokë e punueshme, 91 mijë ha tokë e papunuar, 214 mijë ha tokë kullotë e livadhe, si dhe 76 mijë ha tokë, kënetë e moçale.

Malet dhe pyjet llogariten në 509 mijë ha – e pranuar, jo e saktë.

Pavarësisht zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në atë kohë, duke konsideruar se bujqit duhet të prodhojnë për treg e vetëkonsum, të pambështetur me ndihma e subvencione, por në konkurrencë të hapur brenda vendit si dhe me prodhimet e importit, kjo sasi toke e punueshme që shfrytëzohet është toka më e mirë për prodhim, si pjellori dhe vendndodhje.

Shqipëria në atë vit numëron 833 mijë banorë.

Statistikat për vitin 1990 tregojnë se që nga viti 1946, 52 mijë ha tokë e re janë përfituar nga bonifikimet dhe 200 mijë ha janë përmirësuar si cilësi toke po nga bonifikimet. Sipërfaqe e punueshme deklarohen 574 mijë ha.

Në vitin 2023, statistikat japin 678 mijë ha tokë bujqësore, 366 mijë ha kullota dhe livadhe, 969 mijë ha pyje, 860 mijë ha të tjera. Nga e gjithë toka bujqësore, vetëm 415 mijë ha janë të mbjella.

Një fakt interesant është mekanizimi duke filluar nga ai “natyral”. Numri i Qeve (kafshëve që punojnë tokën), 100 vjet më parë ishte 127 mijë. Numri duket i mjaftueshëm që të punojnë shumicën e tokës arë të mbjellë në atë kohë.

Në vitin 1990 nuk ka të dhëna për numrin e traktorëve, por llogariten si total në 1.3 milionë kuaj/fuqi, ose merret si bazë një traktor njësi 15 kuaj fuqi.

Vendi ka një traktor të tillë për 32 ha tokë të punueshme, shifër mjaft e ulët, e përkthyer në 22 mijë traktorë 15 kuaj fuqi për gjithë vendin.

Sot nuk ka të dhëna të sakta sa traktorë ka, por deklarohen rreth 2 mijë traktorë të regjistruar me targa dhe rreth 10 mijë në total, nga të cilët 6 mijë minitraktorë.

Një fermë me sipërfaqe rreth 1.2 ha – sa mesatarja në Shqipëri – kërkon mesatarisht një traktor me 20 kuaj fuqi motorike.

Nëse janë 680 mijë ha tokë bujqësore, atëherë nevojiten 34 mijë traktorë, për 574 mijë ha të punuara sipas statistikave duhen përdorur teorikisht 28 mijë traktorë me 20 kuaj fuqi. Diferenca me 18 mijë traktorë në total – të vegjël a të mëdhenj – është e madhe.

A duhet çdo fermë të ketë traktorin e saj apo mekanika duhet ofruar si shërbim – ky është diskutim tjetër, por llogaritë flasin vetë.

Nëse dikur qetë ushqeheshin me bar e kashtë dhe ka histori ku bujqit të cilët nuk i kishin parë ndonjëherë, u dhanë kashtë traktorëve të parë në Shqipëri, kostot e blerjes së traktorit, naftës, vajrave, mjeteve të tjera si pronë individuale për çdo fermë, të shkarkuara në çmimin e domateve, patateve apo tërfilit, janë llogari që bëhen lehtë.

Duke konsideruar të dhënat e statistikave shqiptare të socializmit dhe atyre të pas socializmit lidhur me ushqimin dhe bujqësinë, Shqipëria vërtet e meriton atë çmimin për ushqimin që ka marrë dikur dhe një çmim edhe më të madh sot.

I vetmi problem është se këtë çmim e paguajnë vetë shqiptarët. Një familje shqiptare paguan rreth 50% të të ardhurave për ushqimin, e pensionistët e familjet e varfra edhe më shumë.

TVSH-ja finale prej 20%, në ndryshim nga vendet e BE-së që nuk paguajnë TVSH për ushqimet, ose një TVSH të reduktuar, e në total paguajnë shumë më pak nga të ardhurat e tyre, është një faktor me shumë peshë.

Raporte të ndryshme, përfshirë ato të BE-së nxjerrin si problem kequshqimin, sidomos te gratë në moshë riprodhuese, gratë shtatzëna e fëmijët.

Para 100 vitesh kemi 241 mijë ha tokë të punueshme, 91 mijë ha tokë të papunuar dhe 214 mijë ha tokë kullotë e livadhe, si dhe 76 mijë ha tokë kënetë e moçale.

Në periudhën 1946 – 1990, 68 mijë ha janë kthyer në tokë të re e fituar si pasojë e bonifikimeve, që vërteton shifrën e 76 mijë ha të vitit 1927.

Por, nga dolën 704 mijë ha tokë bujqësore? Logjikisht, 214 mijë ha kullota e livadhe janë kthyer në tokë bujqësore. Po 180 mijë ha të tjera?

Rritja e popullsisë, sidomos në kushtet e Shqipërisë socialiste që bazohej në forcat e veta, do të thotë që tokat margjinale u futën gjithmonë e më shumë në përdorim.

Nëse në vitin 1927, 830 mijë banorë ushqeheshin me 240 mijë ha, ose një ha tokë siguronte ushqim për 3.5 banorë, në vitin 1990 ishin 3.3 milionë banorë dhe 704 mijë ha, ose një ha siguronte ushqim për 4.68 banorë. Sot kemi 678 mijë ha për 2.8 milionë banorë, ose një ha siguron ushqim për 4.1 banorë.

Ndërsa dy treguesit e parë janë jo vetëm një pjesëtim i thjeshtë, por tregojnë edhe mundësitë prodhuese të ekonomisë bujqësore në vitin 1927 dhe në vitin 1990, sepse të dy tregojnë maksimumin e prodhimit që mund të merret nga e gjithë toka e punueshme.

Në vitin 1927, potenciali prodhues për ha/banor është i ulët jo vetëm për shkak të prapambetjes, por edhe sepse një pjesë e ushqimit shkon për blegtorinë dhe kafshët e punës.

Sistemi socialist, duke ditur që blegtoria dhe prodhimet e saj – qumështi e mishi – kërkojnë më shumë ushqim nga toka për të ushqyer lopët p.sh., sesa nëse ai do të ishte direkt për popullsinë, u dha rëndësi drithërave dhe perimeve për të siguruar bukën në vend.

Mungesa e mishit dhe bulmetrave tregon se nuk kishte bazë ushqimore të mjaftueshme për blegtorinë, megjithëse mbillej dhe një sasi soje, dhe se sistemi e sakrifikoi një pjesë të madhe të ushqimit me proteina shtazore për popullsinë, për të prodhuar kalori, karbohidrate dhe yndyra bimore.

Në rast se prodhimi do të ishte i balancuar – blegtori dhe bujqësi – vendi do të duhej të hapej për të siguruar nga jashtë teknologji, mekanizim, ushqime blegtorie ose drithëra.

Plehrat kimike përdoreshin në ato vite me shumicë – rreth 130 kg lëndë aktive për ha – janë sasi në limitet e sipërme edhe sot për vende të zhvilluara.

Efektiviteti i përdorimit të tyre duket i dyshimtë. Po aq problematike është ujitja: vetëm 60% e tokës ose 420 mijë ha ujiten nga 700 mijë.

Tokat margjinale, të krijuara kryesisht nga shpyllëzimet dhe mungesa e ujitjes, e bëjnë problematike rritjen e prodhimit dhe më lehtë të kuptueshme varfërinë ekstreme të shumë kooperativave malore e kodrinore.

Një fakt, interesant është se edhe sasia e reshjeve ka ardhur duke u ulur në mënyrë pothuajse konstante nga viti 1950 deri në vitin 1990, nga 20% deri në 30% në zona të ndryshme të vendit.

Temperatura mesatare, po nga 1950 deri në 1990, është rritur përgjithësisht 0.2 deri në 1 gradë Celsius.

Sot deklarohet se ujiten 300 mijë ha tokë, nga 415 mijë ha të mbjella, e nga 678 mijë ha në total tokë bujqësore. Nëse rikujtojmë shifrat e vitit 1927, jemi pothuajse në të njëjtat shifra të tokës së punueshme – 270 mijë ha.

Nuk e dimë nëse atëherë kishte ujitje moderne, por sidoqoftë, përderisa tokat ishin prodhimtare, potencialisht kanë pasur ujë dhe mundësi ujitjeje dhe sidoqoftë janë 100 mijë ha më pak nën ujë se në vitin 1990.

Teknologjitë moderne, më shumë njohuri te fermerët, por edhe lidhja me tregun, mundësojnë sot të merren rendimente shumë më të larta se më parë në drithëra, perime, fruta, blegtori dhe sidomos në prodhimin e serrave. Kjo mundëson që, edhe pse sipërfaqja e tokës arë të jetë më e vogël se sa ajo e viteve më parë, prodhimi të rritet.

Pjesa më e madhe e fermerëve janë të specializuar dhe kanë një prodhim kryesor për të dalë në treg.

Vështirë të gjenden fermerë sot që mbjellin tokën nëse nuk kanë ujitje, qoftë edhe për vetëkonsum.

Specializimi i fermerëve ka rritur prodhimin, por ka rritur dhe importet. Nëpër fshatra, tregtarët ambulantë shesin prodhime ushqimore vendi, por edhe shumë importi. Fermerët e vegjël duhet të blejnë “te makina” e tregtarëve të vegjël që shkojnë kudo ku ka grupime shtëpish.

Duhet të blejnë çdo gjë që vite më parë e prodhonin vetë ose e shkëmbenin, si perime e fruta – sidomos ato jashtë sezonit.

Në baxhot ose dyqanet e zonës, me çmime tregu si në qytet, duhet të blejnë qumësht, djathë, mish vendi dhe importi.

Edhe pse mund të prodhojnë sasi perimesh ose frutash mbi vetëkonsumin, kjo nuk garanton shitje, sepse ata pranë tyre janë si ata, dhe ndërmjetësit kërkojnë sasi më të mëdha prodhimi për blerës të tjerë më larg.

Në mungesë të tregut, prodhimi i fermës shkon për shpendë nëse i mbajnë, ose prishet në fushë.

Një ha për shumë njerëz

Duhet të futet koncepti i fermerit aktiv dhe i tokave të papunuara për të ditur gjendjen reale. Por, mbi të gjitha, duhet planifikimi dhe të dimë ku jemi e ku kërkojmë të shkojmë.

Një ha tokë, në kushtet aktuale të Shqipërisë, mund të prodhojë ushqim për 8–10 njerëz. Nëse janë 300 mijë ha nën ujë, ky numër shkon nga 2.4 në 3 milionë – popullsia është 2.8 milionë banorë.

Në BE, një ha tokë mund të ushqejë – me strukturën aktuale të prodhimit për 11–13 njerëz. 157 milionë ha të BE-së prodhojnë potencialisht ushqim për mbi 1.5 miliardë njerëz, ndërsa BE ka më pak se 500 milionë banorë.

Sa njerëz mund të ushqehen nga një ha në një vend që ka kufij shumë të gjerë, në varësi të llojit të tokës, teknologjisë, humbjeve, sistemit të tregtimit, por edhe në varësi të strukturës së prodhimit – sa drithëra, perime, fruta, mish, qumësht e bimë industriale.

Nga ana tjetër, kjo të mundëson të planifikosh dhe investosh për prodhimin që kërkon, e jo vetëm sasinë, por standardet, cilësinë, përpunimin, tregtimin.

Shqipëria, së pari, duhet të ruajë me forcë tokën e paktë prodhuese të ushqimit që ka, sepse po konkurrohet nga ekonomia tjetër si turizmi, ndërtimet, por edhe ndotja e degradimi.

Sistemet ujitëse dhe kulluese, teknologjia dhe mekanizimi janë baza për prodhim të lartë dhe të qëndrueshëm. Incentivimi i bashkëpunimit është i domosdoshëm për kosto më të ulëta, standarde e sasi.

Më shumë njohuri për fermerët, por edhe pak fat që politika e shoqëria të kuptojë se duhen ca pak njerëz si zoti Selenica, që 100 vjet më parë ndërtonte statistikat – duke i përdorur ato dhe njohuritë e tyre për më shumë prodhim e mirëqenie.

Duhet të ndërtojmë strategji e plane investimesh që të shkojmë drejt rritjes së prodhimit dhe sovranitetit ushqimor, pa e mbështetur këtë me kosto që i paguajnë fermerët, konsumatorët apo e gjithë shoqëria – si emigrimi, sëmundjet dhe apatia.

Duhet ditur se do të duhet shumë më tepër prodhim ushqimesh se sa marrim sot, për të pasur një zhvillim të gjithë ekonomisë dhe shërbimeve, të cilat do të marrin para “që kursehen” nga ushqimi.

Sovranitet ushqimor – jo në atë kuptim që të prodhojmë çdo gjë me forcat tona – nuk duhet të humbasim mundësitë që ofron tregu në botë për importe të lira dhe me standarde, por të ruajmë potencialet prodhuese të tokës dhe fermave, dhe të tregtojmë sa më shumë – së pari në tregun vendas, e pastaj për eksport./ Monitor

Të fundit