Flash News

E-TJERA

Abc News: Lideri i opozitës shqiptare lirohet nga arresti shtëpiak, GJK shfuqizoi ndalimin për të dalë jashtë vendit

Abc News: Lideri i opozitës shqiptare lirohet nga arresti shtëpiak,

Një gjykatë shqiptare liroi të mërkurën nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës dhe akuzohet për korrupsion.

Gjykata Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila mbulon çështje me zyrtarë të lartë dhe politikanë, hoqi urdhrin për arrestin shtëpiak të Berishës, të lëshuar gati një vit më parë, pa dhënë asnjë arsye, shkruan media e njohur nderkombetare ABC News. 

Imuniteti deputet i Berishës u hoq në dhjetor të 2023 dhe u vendos në arrest shtëpiak pasi shkeli një urdhër të mëparshëm për t'u paraqitur në gjykatë çdo dy javë. Atij iu ndalua gjithashtu udhëtimi jashtë vendit, por ky urdhër u rrëzua javën e kaluar nga Gjykata Kushtetuese.

Berisha, 80 vjeç, përshëndeti qindra mbështetës që e prisnin në selinë e Partisë Demokratike duke bërtitur emrin e tij.

“Sot ne jemi më afër se kurrë triumfit tonë, kthimit të Partisë Demokratike në pushtet,” i tha ai turmës, duke përsëritur thirrjen e partisë drejtuar socialistëve në pushtet për të krijuar një kabinet kujdestar teknokratik për ta çuar vendin në zgjedhje të lira.

Gjatë periudhës së arrestit shtëpiak, Berisha ka qëndruar në banesën e tij në qendër të Tiranës. Ndonëse i ndalohej të komunikonte me njerëz të tjerë përveç familjes dhe avokatëve të tij, çdo mbrëmje ai mbante fjalime për grupe të vogla mbështetësish të mbledhur jashtë ndërtesës së tij.

Privimi i Berishës nga komunikimi dhe prania fizike për të udhëhequr partinë e tij ishte një çështje e përditshme në politikën e Shqipërisë, sepse ai është kreu i partisë kryesore opozitare. Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen pranverën e ardhshme.

Në tetor 2023, prokurorët e vunë nën hetim për dyshimin se kishte shpërdoruar postin e tij për të ndihmuar dhëndrin e tij, Jamarber Malltezi, të privatizonte tokën publike për të ndërtuar 17 pallate në kryeqytet, Tiranë.

Në shtator të këtij viti Berisha u akuzua zyrtarisht për korrupsion në lidhje me një marrëveshje pronësie. Ai i ka mohuar akuzat, duke i përshkruar ato si represion politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama i Partisë Socialiste të krahut të majtë në pushtet.

Berisha ishte kryeministër nga 2005-2013 dhe shërbeu si president nga 1992-1997. Ai u rizgjodh deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara në maj 2021 dhe Mbretëria e Bashkuar në korrik 2022 ndaluan Berishën dhe anëtarët e ngushtë të familjes të hynin në vendet e tyre për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në korrupsion.

Anëtarët e Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tyre në një koalicion opozitar kanë mbajtur protesta për arrestimin e kreut të tyre Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta në raste të veçanta korrupsioni, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Opozita akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon që ajo të zëvendësohet nga një qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në Bashkimin Evropian 27-vendesh.

Në tetor, Tirana filloi diskutimet me bllokun për përafrimin me BE-në për shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria synon të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030, sipas Ramës.

Të fundit