Flash News

E-TJERA

AKU bllokon kamionin me 25 ton misër nga Serbia, prani e lartë aflatoksine mbi normat e lejuara

AKU bllokon kamionin me 25 ton misër nga Serbia, prani e lartë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka bllokuar një kamion me 25 ton misër, që po hynte në territorin shqiptar nga dogana e Hanit të Hotit.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të ushtruar nga inspektorët e AKU-së, është konstatuar prania e lartë e aflatoksinës B1, një substancë toksike që tejkalon normat e lejuara për Shqipërinë.

Burimet sqarojnë se niveli i aflatoksinës në këtë sasi misri mund të jetë i pranueshëm për vendet e Bashkimit Europian, por nuk përputhet me standardet shqiptare, të cilat janë më të rrepta për produktet blegtorale.

Sasia e bllokuar e misrit, që kishte si destinacion qytetin e Elbasanit, ishte e destinuar për përdorim blegtoral. Autoritetet theksojnë se procedurat e kontrollit vijojnë dhe pritet të bllokohen edhe sasi të tjera të ngjashme që po verifikohen aktualisht në doganën e Hanit të Hotit.

Ndërkohë, AKU Shkodër ka ndërmarrë një tjetër veprim në terren, duke bllokuar një fermë qumështi në fshatin Trush, pas konstatimit të parregullsive në standardet higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore.

Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë me intensitet në pikat doganore dhe në subjektet që operojnë në fushën e prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore.

Të fundit