Flash News

E-TJERA

Akuza për ndërhyrje në çështjet gjyqësore dhe presion politik, gjyqtari që 'tronditi' EULEX-in

Akuza për ndërhyrje në çështjet gjyqësore dhe

Fundi i vitit 2017 ishte edhe fundi i karrierës ndërkombëtare të Malcolm Simmons si gjyqtar ndërkombëtar në Ballkan.

Ai nuk kishte shërbyer kurrë si gjyqtar në vendin e tij, siç konfirmoi Zyra Gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar, por, megjithatë, kishte arritur të bëhej president i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it – misioni i sundimit të ligjit i Bashkimit Evropian i ngarkuar me vendosjen e sundimit të ligjit dhe një sistemi drejtësie në Kosovë.

Simmons kishte qenë gjithashtu kryetar i trupit gjykues në raste të profilit të lartë, politikisht të ndjeshme, krimesh lufte, siç ishte gjyqi për rastin e Kleçkës, i cili përfundoi me lirimin nga akuzat të Fatmir Limajt, një guerril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës, i cili pas luftës drejtoi partinë e tij politike dhe shërbeu si ministër.

Megjithatë, pas dy vitesh investigime të Bashkimit Evropian dhe tre seancash disiplinore, Simmons u gjet fajtor për sjellje të pahijshme dhe u urdhërua të kthehej në Britani, në vendin e tij.

Nga Londra në Bosnje

Simmons foli gjatë me email me BIRN për karrierën e tij dhe akuzat, por ai refuzoi një intervistë ballë për ballë.

Simmons tha se pasi u kualifikua si avokat, ai punoi për firma ligjore në Londër dhe më pas si zv/ndihmës mjek ligjor në Londrën lindore nga vitit 1997 deri në vitin 2000. Zyra e mjekësisë ligjore shpjegoi se ky është një “zyrtar gjyqësor i pavarur, i cili heton vdekje të papritura, jo nga arsye natyrore ose të dhunshme”.

Megjithatë, për të qenë një mjek ligjor ose zëvendës ndihmës, nuk është e thënë të jesh gjyqtar. Zyra Gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se Simmons nuk ka qenë kurrë gjyqtar në Angli dhe Uells.

Në vitin 2001, ai mori një rol këshilltari ligjor për Këshillin Ndërkombëtar të Gjyqësorit, një organ i krijuar në kuadër të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, për të rindërtuar sistemin gjyqësor të vendit. Çuditshëm, ai nuk kishte diplomë master, gjë që zakonisht është një kërkesë edhe për një pozicion juridik ndërkombëtar të nivelit fillestar jashtë shtetit.

Në vitin 2004, ai u bë gjyqtar në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, me kërkesën e tij të mbështetur nga Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht mungesës së përvojës së tij sipas një rregulloreje të OKB-së që kërkon përvojë në gjykatë në vendin e origjinës së një individi përpara se ai ose ajo mund të emërohet në një pozicion jashtë vendit. Rregullorja e OKB-së e vitit 2000, e cila zbatohet për vendet që dërgojnë gjyqtarët ndërkombëtarë, thotë se atyre u kërkohet të kenë të paktën pesë vjet përvojë si gjyqtarë në vendin e tyre përpara se të vendosen jashtë vendit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ai u përplas me kryetaren e gjykatës shtetërore, Meddzida Kreso. Ajo akuzoi Simmons-in se ai nuk e njihte ligjin boshnjak dhe loboi për ta hequr atë si gjyqtar. “Dëgjuam se një nga gjyqtarët nuk kishte qenë kurrë gjyqtar (në vendin e tij)”, tha Kreso për Koalicionin e Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. “Ai nuk e njihte ligjin boshnjak dhe as nuk ishte i gatshëm të njihej me të. Ai madje nuk ishte i gatshëm të konsultohej me ligjin vendas. Këtë e mësova nga gjyqtarët vendas me të cilët ai punoi.”

Sipas një raportimi në Slobodna Bosna, botuar në vitin 2017, mosmarrëveshja ishte edhe më serioze: “Siç zbuloi në atë kohë kryetarja e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (Kreso), konflikti i saj me Simmons shpërtheu pasi ai i kërkoi asaj të bënte një listën e të gjithë të paditurve për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të bënte një analizë të kombësisë së tyre (etnisë)”, thuhet në raportim.

Simmons thotë se mosmarrëveshja ndodhi sepse Kreso favorizoi disa gjyqtarë duke i lejuar ata të shkonin në udhëtime trajnimi jashtë shtetit dhe se ajo donte dy oficerë mbrojtës, ndërsa gjyqtarët e tjerë kishin vetëm një të tillë.

Simmons mbërriti në Kosovë në vitin 2008 dhe kaloi gati një dekadë duke punuar për EULEX-in në Prishtinë, i dërguar nga Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar.

Në kohën e Simmons, roli i EULEX-it ishte të ndërtonte sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe të përdorte gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë për të gjykuar raste të ndjeshme – kryesisht raste krimesh lufte dhe korrupsioni. Kjo shpesh nënkuptonte trajtimin e rasteve shumë të ndjeshme që përfshinin politikanët të lartë të Kosovës. Rastet po dëgjoheshin gjithashtu ndërsa BE-ja po përpiqej që Kosova dhe Serbia të normalizonin marrëdhëniet e tyre në bisedimet e gjata në Bruksel, të cilat i dhanë një dimension tjetër politik procesit gjyqësor.

Rasti “Kleçka”

Simmons ishte kryetari i trupit gjykues në rigjykimin e çështjes së profilit të lartë “Kleçka”, e cila përfshinte akuza se guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës torturuan dhe keqtrajtuan të burgosurit në një objekt paraburgimi gjatë luftës së viteve 1998-1999. I pandehuri më i shquar ishte Fatmir Limaj, kreu i partisë NISMA dhe ish-ministër i Transportit dhe Infrastrukturës i Kosovës, i cili kishte qenë komandant gueril i UÇK-së gjatë kohës së luftës.

Limaj tashmë ishte liruar dy herë nga akuzat në dy gjyqe në gjykatën e OKB-së për krime lufte në Hagë dhe Simmons besonte se çështja nuk duhet të kishte shkuar kurrë në gjyq në Kosovë, sepse ishte shumë e dobët.

Megjithatë, gjykatësi amerikan Dean Pineles, një i diplomuar në Harvard me mbi 40 vjet përvojë ligjore dhe gjyqësore, i cili ishte pjesë e trupit gjykues në gjyqin e shkallës së parë, mendonte se çështja “Kleçka” ishte “plotësisht e denjë për një gjykim të plotë, si ligjërisht ashtu edhe faktikisht ” dhe shkroi një artikull për të hedhur poshtë mendimin e Simmons.

Çështja pati si kryesor një dëshmitar kyç, Armend Zogaj, i cili kishte mbajtur një ditar gjatë kohës që kishte qenë roje në objektin e paraburgimit të UÇK-së në Kleçkë dhe kishte regjistruar krimet. Por para se çështja të dilte në gjyq, Zogaj vrau veten në Gjermani.

Simmons mendonte se çështja nuk duhet të vazhdonte duke qenë se mbrojtja nuk ishte në gjendje ta merrte në pyetje dëshmitarin. Ai argumentoi se provat e Zogajt ishin kundërshtuar nga provat mjeko-ligjore, dëshmitarët e tjerë dhe deklaratat e tij të mëparshme. “Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk mendoj se ndonjë prokuror i arsyeshëm do ta kishte çuar çështjen në gjyq”, tha ai.

Por Pineles, në një libër të ardhshëm, argumenton se Zogaj ishte përgjigjur mbi “1,000 pyetjeve” në fazën e zbulimit të çështjes nga avokatët mbrojtës dhe se të gjitha ishin në përputhje me njëra-tjetrën.

Simmons gjithashtu argumentoi se Zogaj kishte një histori sëmundjeje mendore që nënkuptonte se ai ishte një dëshmitar jo i besueshëm. Por ai e refuzoi kërkesën e prokurorisë për të thirrur një psikiatër si dëshmitar, sipas intervistave me persona të afërt me çështjen.

Një burim i afërt me çështjen tha se deklaratat e Zogajt i çonin hetuesit drejt e në prova: “Deklaratat e tij ishin si një hartë”.

Simmons, megjithatë, ka pretenduar se ai po shtyhej nga BE-ja për të dënuar të pandehurit. Ai pretendon se Kenneth Deane, atëherë kreu i operacioneve civile i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili menaxhonte të gjitha misionet e BE-së, i tha atij se nevojiteshin dënime.

Deane nuk kishte asnjë rol të drejtpërdrejtë mbikëqyrës mbi Simmons ose dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Por Simmons pretendon se në një rast, Deane “udhëzoi EULEX-in të mos ndërmarrë asnjë veprim” lidhur me ankesën e Simmons se BE-ja po ushtronte presion mbi gjyqësorin për arsye politike. Simmons tha se e kishte letrën, por nuk pranoi t’ia tregonte BIRN-it. Deane nuk punon më për Bashkimin Evropian.

Pas lirimit nga akuzat të të pandehurve në rigjykim, çështja “Kleçka” vazhdoi me një apelim të vendimit. Si president i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Simmons mori pjesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që dëgjuan apelin.

Mediat në Kosovë më pas filluan të publikonin akuza për sjellje të pahijshme personale dhe profesionale kundër gjyqtarit kryesor të apelit. Sipas BE-së, një memorandum konfidencial, një vlerësim i çështjes i ndarë vetëm midis anëtarëve të trupit gjykues, ishte vjedhur nga dhomat e gjyqtarëve kryesorë. BE-ja filloi te hetonte Simmons-in.

BIRN ka parë dy dokumente që përmbajnë konkluzionet e seancave disiplinore të Simmons. Njëri prej tyre, i cili mban datën 13 dhjetor 2017 dhe i emërtuar si “Rasti numër 2017-1” ka të bëjë me sjelljen e tij në çështjen “Kleçka”.

“Duke qenë kryetar i trupit gjykues në çështjen “Kleçka” në shkallë të parë në rigjykim, gjyqtari Simmons kishte një interes profesional dhe ndoshta moral në rezultatin e apelit. Në kohën kur ai mori kryesimin e gjyqtarëve të EULEX-it në tetor 2014, dihej mirë se disa nga gjyqtarët e EULEX-it që kishin shqyrtuar rastin kishin dyshime për faktet e gjetura nga gjykata.”

Dokumenti më pas vazhdon duke thënë: “Në këto rrethana, ishte veçanërisht e rëndësishme që gjyqtari Simmons të mos merrte asnjë pjesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të EULEX-it që do të dëgjonin një rast i cili mund të kishte rezultuar në rrëzimin e një vendimi në hartimin e të cilit ai luajti një rol udhëheqës në shkallën e parë… Për më tepër, sjellja e gjyqtarit Simmons binte ndesh me parimin e gjyqtarit të ligjshëm.”

Simmons pretendoi se ai kishte të drejtë të zgjidhte panelin si president i gjyqtarëve të EULEX-it, por paneli disiplinor i BE-së nuk u pajtua me këtë.

Bordi disiplinor e liroi Simmons-in nga tre akuza të tjera, duke përfshirë pretendime të tjera për ndërhyrje gjyqësore në rastin “Kleçka”, për shkak të mungesës së provave.

Por ai zbuloi se ai ishte fajtor për një akuzë për ndërhyrje në rastin “Kleçka” dhe urdhëroi që ai të “riatdhesohej me efekt të menjëhershëm” në vendin e tij.

Rasti Drenica II

Ndërsa Simmons ishte Kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ai ishte gjithashtu i përfshirë në përzgjedhjen e trupit gjykues në një rast tjetër të profilit të lartë, të njohur si Drenica II, i cili përsëri pati polemika.

Të pandehurit në rastin Drenica II, ish-guerilë të UÇK-së të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës duke përfshirë torturën kundër të burgosurve civilë, përfshinin disa figura të profilit të lartë – ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, dhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

Dy gjyqtarë polakë u zgjodhën për panelin e çështjes Drenica II, por Simmons pretendoi se ata kishin një lidhje bashkë dhe se njëri prej tyre kishte bërë deklarata antishqiptare.

Gregor Guy Smith, avokati i të pandehurit Sylejman Selimi në këtë çështje, tha për BIRN se ai kishte disa biseda me Simmons dhe kishte raportuar shqetësimet e tij se dy gjyqtarët polakë ishin të përfshirë në një marrëdhënie.

Marrëdhënia e pretenduar si dhe komentet fyese u panë nga Simmons si një problem i mundshëm njëanshmërie. Por kishte pak prova të tjera përveç një shikimi të raportuar të dy polakëve në Shqipëri dhe pohimeve të Simmons. Asnjë nga personat me të cilët foli BIRN nuk i mbështeti akuzat për komentet apo lidhjen e tyre dashurore.

Megjithatë, Simmons pranoi të dëshmonte për këto incidente në gjyqin Drenica II në emër të mbrojtjes.

Simmons pohon se të gjitha komunikimet e tij me Guy Smith ishin transparente dhe të regjistruara. Guy Smith u pajtua, duke thënë se ai kurrë nuk e kishte takuar Simmons, por komunikoi me të vetëm përmes emailit. Ai tha për BIRN se ndjente se Simmons thjesht po përpiqej të sigurohej që të dy gjyqtarët të ishin në përputhje të plotë me standardet e paanshmërisë së plotë gjyqësore dhe sjelljes etike.

Guy Smith pohon se ai donte që të mbahej një seancë dëgjimore për akuzat ndaj dy gjyqtarëve, duke përfshirë pretendimet shtesë se gjyqtari kryesor ishte antishqiptar. Por seanca nuk u mbajt dhe Guy Smith tha se kjo nënkuptonte se klienti i tij nuk u lejua të zbulonte nëse ai kishte një trup gjykues të paanshëm.

Vendimi i panelit disiplinor të BE-së për pretendimet se Simmons ka ndërhyrë në rastin Drenica II, i datës 15 dhjetor 2017, tha se “në përfaqësimin dhe promovimin e çështjes për njërën nga palët në procedurat ligjore (mbrojtjen), gjyqtari Simmons qartazi nuk po vepronte në mënyrë të paanshme”.

Trupi gjykues disiplinor zbuloi se Simmons ishte aq këmbëngulës për të dëshmuar për mbrojtjen, saqë i dërgoi 13 emaile njërit prej tre gjyqtarëve në rastin Drenica II, dhe pesë emaile një tjetri. “Jam i gatshëm të jap prova dhe besoj se do të ishte në interes të drejtësisë që ta bëja këtë”, shkroi Simmons.

Dokumenti i procedurës disiplinore shpjegon se këmbëngulja e Simmons në përpjekjen për të ndikuar në panel në një çështje ku ai nuk ishte pjesë u ndërlikua më tej nga fakti se si kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve, ai ishte menaxheri i drejtpërdrejtë i gjyqtarëve që ai po përpiqej të bindte që ta lejonin të dëshmonte për mbrojtjen.

Dokumenti përfundon: “Vitet e gjyqtarit Simmons si anëtar i misionit të EULEX-it që nga viti 2008 dhe pozicioni i tij si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it do të justifikonte pritshmërinë që sjellja e tij t’i përgjigjej standardeve dhe nivelit më të lartë të integritetit dhe se ai duhet të ishte një shembull për kolegët e tij gjyqtarë. Në rastin aktual, sjellja e tij ishte e qëllimshme dhe e përsëritur, dhe shpërdorimi i tij i detyrës si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it ishte skandaloz.”

Ai gjithashtu e akuzoi atë për keqorientim të gjyqtarëve në rastet Drenica dhe shefin e Zyrës Ligjore për të Drejtat e Njeriut të EULEX-it. Email-et e tij u bënë edhe më këmbëngulës, tha ai, dhe paneli disiplinor vuri në dukje se ishte e çuditshme që, me gjithë përvojën e tij, Simmons dukej se nuk e kuptonte procedurën e duhur në situata të tilla.

Rasti Drenica II vazhdoi dhe të pandehurit u gjetën fajtorë. Simmons ende pretendon se lidhja dashurore e supozuar e gjyqtarëve në një farë mënyre e orientoi trupin gjykues drejt një vendimi fajësie.

Megjithatë, gjykata e apelit – e cila kishte një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarë të Kosovës – gjithashtu nuk u pajtua me Simmons për këtë. Në vendimin e saj thuhej se shkeljet e supozuara nga dy gjyqtarët polakë “nuk përbëjnë shkelje të ligjit” dhe për këtë arsye do të ishte një çështje e brendshme për të cilën duhet të vendosë EULEX-i./ BIRN

Të fundit