Flash News

E-TJERA

Akuzohet për fshehje pasurie, KPK shkarkon gjyqtarin e Korçës Besnik Shehu

Akuzohet për fshehje pasurie, KPK shkarkon gjyqtarin e Korçës

KPK ka shkarkuar gjyqtarin e Korçës, Besnik Shehu, i cili akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë si dhe fshehje të saj.

Ky vendim u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK-së kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi Hamitaj sqaroi se nuk ishte pranuar kërkesa e subjektit për çeljen e hetimit administrativ për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në seancën dëgjimore të 3 prillit, Shehu dha shpjegime lidhur me barrën e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ paraprak.

Komisioni konstatoi bilanc negativ në vlerën 12.3 milionë lekë për pasurinë e gjyqtarit Shehu, si dhe ngriti dyshime për një transaksion fiktiv me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.

Shehu pretendoi se me provat dhe shpjegimet e paraqitura e kishte përmbysur barrën e provës dhe bilancin negativ përgjatë viteve dhe kërkoi çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit kalimtar, kërkesë që u rrëzua.

Besnik Shehu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Të fundit