Flash News

E-TJERA

Alarm nga moti i keq: Durrësi më i prekur nga përmbytjet, rrëshqitje dherash në Gjirokastër e Dibër

Alarm nga moti i keq: Durrësi më i prekur nga përmbytjet,

Situata nga reshjet e dendura të ditëve të fundit vijon të mbetet problematike në disa qarqe të vendit, me përmbytje, dëme në banesa dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore nën ujë.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se vështirësitë më të mëdha janë evidentuar në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në pjesën tjetër të territorit raportohen problematika të kufizuara ose një situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në disa zona të Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Sipas autoriteteve, hidrovorët po funksionojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës, verifikimet në terren kanë përfshirë mbi 5 mijë banesa, ku në më shumë se 1 700 prej tyre janë konstatuar dëme nga përmbytjet. Për shkak të situatës, janë evakuuar 851 persona, kryesisht nga zonat e Sukthit dhe Katundit të Ri, ndërsa rreth 2 mijë hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë. Autoritetet po vijojnë procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, situata paraqitet më e stabilizuar, me rënie të nivelit të ujit në shumicën e tokave bujqësore. Megjithatë, ekipet në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa të prekura. Të gjithë hidrovorët kanë qenë në funksion maksimal, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është konstatuar ndërprerje e energjisë elektrike. Ndërkohë, niveli i lumit Drin është në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje të prurjeve si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në qarkullimin rrugor.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në disa segmente rrugore, ku po punohet për pastrimin dhe rikthimin e normalitetit, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte të prekura.

Ndërkohë, në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve në lumenjtë Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore, ndërsa situata vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

 

Të fundit