Flash News

E-TJERA

Berisha prezanton Alfred Lelën Drejtor të Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD

Berisha prezanton Alfred Lelën Drejtor të Zyrës së Shtypit

Alfred Lela do të jetë nga sot drejtor i ri i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në Partinë Demokratike.

Ka qenë vetë kreu i PD, Sali Berisha, ai i cili e ka prezantuar në një konferencë me mediat, sipas të cilit Lela ka një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë dhe do drejtojë këtë sektor për të vendosur standardet më të mira të transparencës, etikës, profesionalizmit të komunikimit të PD.

“Kam kënaqësi të paraqes para jush Drejtorin e zyrës së shtypit dhe komunikimit në PD, publicistin, gazetarin e mirënjohur, Alfred Lela. Alfredi ka një karrierë të suksesshme në fushën e gazetarisë. Pas përfundimit të studimeve ka bërë një vit kualifikimi në Masachusets University, ka kompletuar doktoraturën me një libër, më interesantin e jetës së tij. Do të drejtojë këtë sector jashtëzakonisht të rëndësishëm për partinë dhe për publikun me qëllimet më të mira për të vendosur standardet më të mira të transparencës, etikës së PD-së”, u shpreh Berisha.

Në këtë konferencë të parë në përfundim të fjalës së Berishës, Lela mori fjalën, e bashkë me të edhe mikrofonin e Berishës. Pajisja duket se nuk arrinte deri te vendi i Lelës dhe Berisha e kaloi përmes një batue "thumbuese".

 “A rrofsh, se të marrësh që në fillim mikrofonin tim”, tha Berisha. 

Nga ana e tij Lela u shpreh se “jam unë sot këtu, pse i bashkohem projektit të rithemelimit të Partisë Demokratike, të zotit Berisha. Ne që bëjmë analizat politike, kemi kohë që flasim deri në përsëritje, deri në monotoni, “hapje, hapje”, por është momenti që jo vetëm të flasim për hapjen, por edhe ta jetojmë atë. Nëse nuk e bëjmë, vetëm flasim, dhe kur na vjen mundësia që t’i kontribuojmë hapjes tërhiqemi, duket sikur jemi pak hipokrit. Dhe unë kam dashur të dal përtej kësaj hipokrizie me aq sa do të mundem, me aq sa do të di.

Dua të them edhe atë se çfarë do të mundemi të komunikojmë nëpërmjet kësaj zyre shtypi dhe të komunikimit. Do të jetë thelbi i aksionit politik të Partisë Demokratike i cili shkon dhe sheh tek rithemelimi, tek kauzat që janë të shqiptarëve, që janë të përbashkëta dhe që janë të të gjithëve ne dhe që duan të përshkruajnë sa më mirë një vizion të përbashkët të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të mos e zgjatur më shumë, ajo që do të bëjmë, do të komunikojmë edhe se kush jemi dhe se çfarë mund të bëjmë. Dua ta falënderoj edhe njëherë zotin Berisha dhe ju të dashur kolegë të gazetarë".

Të fundit