Flash News

E-TJERA

Ambasadori që u dëbua nga Shqipëria, i dyshuar për rrëmbimin e agjentit të FBI-së

Ambasadori që u dëbua nga Shqipëria, i dyshuar për

Autoritetet federale amerikane kanë publikuar imazhe të reja të tre oficerëve të inteligjencës iraniane të dyshuar për përfshirje në rrëmbimin e agjentit të pensionuar të FBI-së, Robert Levinson, i zhdukur që prej vitit 2007. Në mesin e tyre është edhe Gholamhossein Mohammadnia – një emër i njohur për Shqipërinë.

Mohammadnia ka shërbyer si ambasador i Iranit në Tiranë në vitin 2016, por u dëbua nga autoritetet shqiptare dy vite më pas, në vitin 2018, për "dëmtim të sigurisë kombëtare". Tashmë FBI-ja e përfshin emrin e tij në listën e personave të dyshuar si të përfshirë në rrëmbimin dhe ndalimin e padrejtë të Levinson-it, si dhe në mbulimin e ngjarjes nga autoritetet iraniane.

Sipas deklaratës zyrtare të FBI-së, Mohammadnia, që mban pozicionin e zëvendësministrit të inteligjencës në Iran, ka udhëhequr një përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë e zhdukjes së Levinson duke e adresuar atë ndaj një grupi terrorist në rajonin e Baluchistanit në Pakistan – në një përpjekje për të shmangur akuzat ndaj qeverisë iraniane.

“Bobi ka të ngjarë të ketë vdekur më vonë në robëri, larg familjes, miqve dhe kolegëve të tij,” tha Steven Jenson, ndihmësdrejtori i FBI-së në Uashington. “FBI-ja do të vazhdojë ndjekjen e saj për të mbajtur përgjegjës këdo që ka qenë i përfshirë.”

Në mars të këtij viti, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Mohammadnia-s dhe dy oficerëve të tjerë iranianë për përfshirje në rrëmbimin dhe vdekjen e mundshme të Levinson-it, si dhe për përpjekjet për të errësuar të vërtetën.

Mohammadnia nuk është emër i panjohur për autoritetet shqiptare, pasi dëbimi i tij në vitin 2018 u konsiderua në atë kohë si një sinjal i qartë i tensioneve mes Shqipërisë dhe Iranit, të cilat më vonë u përshkallëzuan edhe më tej me akuza për aktivitete të paligjshme të inteligjencës iraniane në vend.

Të fundit