Flash News

Kosova

​Ambasadori suedez: Në '99 serbët më kontrolluan pasaportën kur shkova në veri, 23 vjet më vonë pata të njëjtat ndjenja

​Ambasadori suedez: Në '99 serbët më kontrolluan

Ambasadori suedez, Jonas Westerlund është shprehur i zhgënjyer nga situata në veri të Kosovës, duke e konsideruar përshkallëzimin të panevojshëm. Ai deklaroi se ka nevojë për një dialog të ngushtë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit serb në veri.

“Jam i zhgënjyer në kuptimin që, e mbaj mend që kam kaluar nëpër urën në Mitrovicë më 1999, dhe më kujtohet se kam kaluar nga ana jugore në anën veriore, dhe menjëherë vinin disa serbë të Kosovës për të na kontrolluar se kush ishim, kontrollonin pasaportën time. Nuk do të mund ta imagjinoja që 23 vjet më vonë, do të kisha të njëjtën ndjenjë gjatë kalimit të urës. Kështu që jam i zhgënjyer që Ballkani nuk ka mundur të përparojë më shumë”, tha ai për ‘KosovaPress.’

Barrikadat kanë hyrë në ditën e nëntë dhe ambasadori Westerlund nuk e fsheh shqetësimin me atë se çfarë po ndodhë aktualisht në atë pjesë të vendit.

“Është një situatë mjaft shqetësuese për momentin. Natyrisht, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën. Kjo kryesisht po bëhet përmes të dërguarit të BE-së, Lajçak, i cili sapo vizitoi Kosovën së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Escobar.

Suedia natyrisht i mbështet përpjekjet e tyre, dhe ekziston një situatë shumë e rrezikshme, një mosmarrëveshje e vogël mund të ketë pasoja të rënda, kështu që ju bëjmë thirrje të dyja palëve, Prishtinës dhe komunitetit lokal, që ta de-eskalojnë situatën”, vijon ai.

Westerlund ka qenë pjesë e misionit të OSBE-së në vitin 1999 në Kosovë, ndërsa ka punuar për OKB për dy vjet në vitet ’96-’98 edhe në Kroaci.

Të fundit