Flash News

E-TJERA

"Koha e pritjes për qytetarët është rritur!", Brataj pranon problemin: Ndryshon stategjia e menaxhimit për të evituar pritjen e autoambulancave

"Koha e pritjes për qytetarët është rritur!",
Në foto: Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj

Pas akuzave të keqmenaxhimit të pandemisë, mungesës së shtretërve nëpër spitalet COVID dhe autoambulancat me pacientë që qëndronin në pritje, Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka njoftuar një ndryshim të stategjisë së menaxhimit për të evituar këto problematika.

“Vazhdon të mos kemi një rritje në numrin e thirrjeve. Përkundrazi është stacionare, madje është 200 thirrje më pak drejt Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Vazhdon numri i vizitave të jetë i lartë, 463 për 24 orët e fundit në banesë. Vazhdojmë të kemi të njëjtat funksione përsa iu përket përqindjes së pacientëve që përfundojnë në spital, janë rreth 46% e tyre.

Janë marrë masat për menaxhimin e shtretërve në spitalet COVID. Menaxhimi i mëparshëm ishte në bazë të territorit tek spitali, mirëpo për të mos krijuar pritje të autoambulancave, në këtë mënyrë po bëjmë menaxhimin e vendeve në të tre spitalet njëkohësisht.

Kështu që qytetarët duhet të kenë parasysh se në qoftë se një spital ka qenë i menaxhuar nga Infektivi, tani menaxhimi bëhet në të 3 spitalet COVID.

Po ashtu, çdo pacient apo qytetarë që shërohet, shoqërohet dhe do të vazhdojë të shoqërohet nga autoambulanca deri në banesën e tij. Kështu që të mos të përpiqen të gjenë automjete sepse transporti do të kryhet gjithmonë përmes sistemit të 127-tës për të ndërprerë dhe parandaluar përhapjen e infeksionit, plus që do të jenë të asistuar nga ekipet mjekësore deri në banesë”, tha Brataj.

Me tej, Brataj bëri me dije se për shkak të rasteve të shumta koha e pritjes për qytetarët është rritur.

"Koha e pritjes për qytetarët është rritur, për disa arsye. Duke ditur që kryejmë 463 vizita, por ka dhe një procedurë ku nga këto janë 146 për COVID, epiket duhet të vishen dhe të shkojnë drejt pacientëve dhe triazhimin bëhet mbi bazën e gjendjes së një pacienti. Është një kontroll mjekësor, i thuhet qytetarit "nëse ka një përkeqësim njofto menjëherë" sepse menaxhimi bëhet nga prioriteti i përkeqësimit të sëmundjes", tha Brataj.

Të fundit