Flash News

E-TJERA

AMF denoncon një platformë të dyshimtë investimesh në kriptovaluta

AMF denoncon një platformë të dyshimtë investimesh në

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF paralajmëroi qytetarët shqiptarë se një platformë e dyshimtë investimesh, e quajtur “NetherexPro”, po promovohet në rrjetet sociale dhe mund të rrezikojë të ardhurat e tyre. Sipas AMF, kjo platformë nuk është e licensuar prej tyre.

“Çdo investim në këtë platformë mund të rezultojë me humbjen e të gjitha parave të investuara në mënyrë të pakthyeshme,” deklaroi AMF në njoftim, duke shtuar se institucioni i tyre nuk mund të mbrojë interesat e investitorëve kur ata investojnë në platforma të palicensuara nga vetë AMF.

Platforma e investimeve “NetherexPro”, e cila premton fitime nga investimet në kriptovaluta, është raportuar më herët edhe nga institucionet e shteteve të tjera si Mali i Zi apo Uganda. Sipas tyre, njoftime të rreme kanë qarkulluar në rrjetet sociale në lidhje me burime fitimesh të promovuara nga zyrtarë shtetërorë lidhur me këtë platformë.

Të dyja këto shtete i kanë përgënjeshtruar këto deklarata, si edhe lidhjet me platformën NetherexPro.

“Autorët kanë shfrytëzuar të dhëna të marra nga rrjetet sociale për të targetuar individët vulnerabël, sidomos ato që janë më të interesuar në kripto apo në mundësitë e bizneseve online,” raportoi media “The Explorer” në Ugandë.

Në Shqipëri, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u kujton qytetarëve se asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime pa patur licensën e duhur.

“…asnjë shoqëri nuk mund të ofrojë apo promovojë shërbime të lidhura me investime në tituj apo tregtimin e tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pa u licencuar, regjistruar, apo njohur më parë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare,” përfundon njoftimi. Reporter.al

Të fundit